Reagon familja e profesorit të arrestuar nga Gjilani: Kastriot Kurtin e linçuan për një rast personal mes dy të rriturve

Pas arrestimit të profesorit të gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan, Kastriot Kurti, pasi një femër u ankua se e ka shqetësuar nëpërmjet rrjeteve sociale, ka reaguar familja Kurti.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, të cilën e ka përcjell motra e tij, Kosovarja, familja Kurti ka akuzuar mediat për linçim të vëllait për, siç ka thënë ajo, ‘një rast të tijin personal, shumë të ndjeshëm në mes dy të rriturve’.

“Së pari, Kastrioti kurrë nuk e ka pasur nxënëse paditësen M.D. (22-vejçare), andaj çdo portal që ka shkruar se…“ Profesori ka ngacmuar ish-nxënësen e tij…”; ‘’…ky eshte profesori që ngacmoi ish-nxënësen e tij..”, etj, do të paditen për dëmtim imazhi, shpifje, shqetësim psikik ndër familjar etj”, ka shkruar pos tjerash, Kosovarja.

Ndryshe, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, toger Ismet Hashani, ka konfirmuar dje për Paparacin arrestimin e Kurtit, nën dyshimin se e përmes rrjetit social kishte shqetësuar me mesazhe një femër.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Gjilan me datën 06.09.2022 rreth orës 16:00 ka pranuar ankesë nga ankuesja Shqiptare Kosovare se përmes rrjetit social është shqetësuar me mesazhe shqetësuese nga i dyshuari Shqiptar Kosovar K.K. (1990). I dyshuari nga ana e Policisë pasi është lokalizuar, është arrestuar dhe intervistuar në baztë procedurave ligjore. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të ngritët kallëzim penal për veprën penale ,,Shqetësim’’ dhe i dyshuari të ndalët në mbajtje për 48 orë”, ka deklaruar Hashani.

Reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Kosovare Kurtit:

Reagim zyrtar nga ana e familjes se profesorit te nderuar Kastriot Kurti

Që ditën e djeshme në mënyrën më çnjerëzore vëllau ynë Kastriot Kurti është linçuar në rrjete sociale, nga portale të ndryshme, për një rast të tijin personal, shumë të ndjeshëm në mes dy të rriturve. Kastrioti është një djalë 32-vjeçar, beçar, me asnjë rast ngacmimi, e as pamoraliteti. Ka qenë dhe është model për shoqërinë, edhe moralisht edhe intelektualisht.

Së pari, Kastrioti kurrë nuk e ka pasur nxënëse paditësen M.D. (22-vejçare), andaj çdo portal që ka shkruar se…“ Profesori ka ngacmuar ish-nxënësene  tij…”; ‘’…ky eshte profesori që ngacmoi ish-nxënësen e tij..”, etj, do të paditen për dëmtim imazhi, shpifje, shqetësim psikik ndër familjar etj.

Së dyti, me paditësen, vëllaun (familjarët) e shoqet e paditëses, Kastrioti ka pasur raport shumë shoqëror e familjar. Vëllau i saj, ka ngrënë bukë te ne, Kastrioti ka ngrënë bukë te ta.

Paditësja M.D., shoqërinë me Kastriotin e ka filluar për kapacitetin intelektual që ka Kastrioti, ajo bashkë me vëllanë e saj, vazhdimisht në mënyrë private i kanë kërkuar këshilla profesionale për çështje të filozofisë e sociologjisë.

Kastrioti, (të gjithë ata që e njohin, ia dinë kapacitetin intelektual e shpirtbardhësinë njerëzore), asnjëherë s’i ka refuzuar për t’i ndihmuar në aspektin profesional e njerëzor. Raporti i tyre ka kaluar në shoqëri të afërt e shumë fisnike.

Meqë kemi pasur të bëjmë me një vajzë të rritur beqare (atëherë) dhe një djalë të rritur beqar, në mënyrë shumë njerëzore e fisnike, Kastrioti pati filluar ta shikojë paditësen si një vajzë, që mund të ishte bashkudhëtare në jetën e tij private e familjare, qëllimet e tij kanë qenë të pastërta e shumë njerëzore. Nuk mund të shkruaj më shumë për këtë pjesë sepse nuk dua t’ia cenoj integritetin intim e personal, shumë fisnik e të pastër vëllaut, sepse nuk e meriton.

Kastrioti ka mundur ta thejë një kod civil, duke i shkruar dikujt që nuk do t’i shkruhet, në mënyrë krejtësisht virtuale, aspak fizike kur raporti i tyre dikur shumë i afërt është ngurosur, dhe, paditësja sic duket paska pasur qëllim t’ia denigrojë figurën shumë të respektuar Kastriotit (për këtë temë, do të sqarohemi sa të përfundojë procedura zyrtare gjyqësore).

Prandaj shoqëri e dashur, mos paragjykoni, Kastrioti nuk është ngacmues e as kriminel as s’e meriton të linçohet, të gjithë ata që e njohin, e dinë. Kastrioti është model si duhet të jetë një njeri i ndershëm, një profesor profesionist i shkëlqyer, një njeri i dashur e shumë altruist.

Nuk e paragjykojmë punën e institucioneve të drejtësisë, për çka do të presim me durim e maturi, por ky shkrim ka për qëllim informimin e saktë te publikut për figurën e Kastriotit, pas linçimit të tij publik, që u bë nga mediat.