Reagon familja kosovare: Pronares së shtëpisë në Sarandë ia lamë 5 euro më shumë

Një denoncim i një pronareje të një shtëpie në Sarandë u bë viral mbrëmjen e sotme.

Ajo në mediat e Shqipërisë denoncoi një familje Kosovare, e cila sipas saj i ka ikur pa paguar shtëpinë e marrë me qira për qëndrim atje, shkruan lajmi.net.

Madje ajo tha se krejt këtë veprim, familja nga Kosova e ka bërë në orën 04:00 të natës.

“Qytetarja shkruan: Prsh JOQ! Doja te ndaja nje problem me juve Dje ne mbasdite ne qytetin e Sarandes nje familje me pushues kosovare kerkonin shtepi me qera dhe ju dhashe shtëpinë. Cdo gje ishte ne rregull u pelqeu dhe u futen brenda. Dhe e kaluan naten aty. Por sot ne mengjes ishin larguar pa njoftuar dhe pa paguar rreth ores 04:00 te mengjesit te sotëm. Celsat i kishin lene brenda dhe dera ishte e hapur. Kjo eshte familja dhe makina e tyre eshte ajo me targa te huaja. Jan momentet e ardhjes dhe ikjes. Me vjen inat per gjestin qe beren dhe as celesat nk me sollën”, ka njoftuar qytetarja për JOQ Albania.

Mirëpo krejt këto pretendime të pronares në fjalë i kanë demantuar familjarët.

Ata në një mesazh dërguar në lajmi.net, kanë thënë se marrëveshja paraprake me pronarin ishte që të qëndronin për 7 netë, mirëpo për shkak se atyre u ndodhi një rast, ata u desh të iknin shumë më herët.

Por, ata thonë se nata ishte 45 euro, dhe pronarit të shtëpisë i janë lënë 50 euro, pra 5 euro më shumë.

“Për familjen time në Sarandë. Veç po du me ju tregu që kjo nuk është e vërtetë. E bonëm Pazar për 7 ditë, 45 euro natën. Por na ndodhi një rast dhe nuk patëm mundësi me nejt ma, për shkak që na erdh keq ja lamë 50 euro në kuzhinë, me qelsa, dmth 5 euro më shumë”, kanë thënë nga familja.