Reagon motra e 35-vjeçares pas vetëvrasjes së Sokol Halilit: “Bima xhenazen qetu”
Sokol Halili, vrasësi i 35 vjeçares shtatzënë, ka vrarë veten.
Lajmin e konfirmoi Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Pas një pune intenzive të të gjitha njesiteve tē Policise së Kosovës është arritur që të lokalizphet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten”, njofti Sveçla.
Me t’u bërë i ditur lajmi, ka ardhur edhe reagimi i parë nga familjarët e viktimës, H.M.
Motra e të ndjerës, ka reaguar ashpër duke kërkuar që t’ia sjellin kufomën e Halilit përpara syve, pasi nuk beson se ai me të vërtetë ka kryer vetëvrasje.
“Qitmi ti mu faktet, faktoma, qite qetu para meje, du me ja pa foton unë, qat xhenaze bima ti mu qetu, le të më thotë qaj ministër mua nërsy që e ka vra veten, le të ma bjen kufomën e tij qetu, kqyre qa i bëjë, mua më thuaje nërsy”, ka thënë ajo në një audio që ka siguruar Insajderi.
Derisa, halla e tyre thotë se nuk ka ministër sepse po të kishte sipas tyre Hamidja nuk do të ishte e vdekur sot.
Në po këtë audio, dëgjohen edhe familjarë të tjerë të ndjeres duke thënë “nuk besojmë, nuk besojmë” .
Sokol Halili ishte në kërkim të Policisë qe gati dy ditë, si i dyshuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij.
Shtatzëna 35-vjeçare u vra në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku kishte shkuar për të kryer lindjen e fëmijës së saj të parë.
Sipas familjarëve, viktima dhe i dyshuari për vrasje kanë qenë në prag të divorcit, si pasojë e dhunës së vazhdueshme fizike e psikike që viktima kishte pasur në vazhdimësi nga ish bashkëshorti i saj.
Ai është lokalizuar nga Policia dhe më pas ia ka marrë jetën vetes, ndërkohë që në anën tjetër viktima H.M u përcoll për në banesën e fundit.