Reagon pronari i Mimoza 93: Nuk jemi në grevë, vazhdojmë punën për hir të qytetarëve

Pronari i kompanisë për transportin e udhëtarëve Mimoza 93 nga Gjilani, Driton Kastrati, ka deklaruar për Mediafokus.info se ata nuk do t’i nënshtrohen vendimit  për grevë.

“Kompaninë tonë nuk e ka ftu kërkush për me marrë pjesë në mbledhje të kësaj shoqate (Anamorava). Ne do të vazhdojmë të operojmë sipas vendimit të qeverisë. Nuk kemi asgjë kundër shoqatës, por po dojmë me iu shërby udhëtarëve sepse kanë nevojë. Ne do t’i mbajme vijat ne keto orare te nisjes: 10:30, 14:30 dhe 17:50”, ka deklaruar Kastrati.

Ai ka pohuar se edhe pse nuk kanë levërdi financiare, këtë po e bëjnë për hir të qytetarëve.

Në këtë mënyrë, kjo kompani nuk i bindet Shoqatës për transportin e udhëtarëve Anamorava, kryetari i së cilës, Rexhep Sejdiu, ka bërë të ditur se janë futur në grevë deri në një vendim tjetër më të favorshëm nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.

Ky dikaster qeveritar ka vendosur që nga e hëna t’i lejojë të punojnë kompanitë e transporti të udhëtarëve, por me kusht që autobusët e minibusët mund të pranojnë udhëtarë prej 50 për qind më pak se ulëse, të njejtit të pajisen me maska dhe doreza, sikurse edhe ta bëjnë dezinfektimin tri herë në ditë./Mediafokus.info/