Rebelët sirianë shpallin shtetrrethim në Damask, Assadi ende “i pagjetur”

Rebelët sirianë kanë shpallur një shtetrrethim, efektiv prej orës 16:00 me atë vendore siriane, deri në orën 05:00 të ditës së ardhshme.

Arsyet e këtij shtetrrethimi nuk janë të qarta, por nga sa mund të kuptohet, mund të jetë vendosur për shkak të situatës disi kaotike të shkaktuar në kryeqytetin sirian, për shkak të festimeve të mëdha në rrugë për rënien e regjimit të Bashar al-Assad, me synim rivendosjen e një rendi në vend.

Ky i fundit ndërkaq, ende nuk dihet se ku është, ku ndër hipotezat e fundit, bie në sy një deklaratë e Ministrisë së Jashtme ruse, e cila thekson se Assad ka ikur nga Siria.

Ministria nuk tha se ku ishte tani Assad dhe tha se Rusia nuk ka marrë pjesë në bisedimet rreth largimit të tij.

Në deklaratë shkruhet se bazat ushtarake të Rusisë në Siri ishin vënë në gjendje gatishmërie të lartë, por se nuk kishte asnjë kërcënim serioz për to për momentin.

Shkruhet po ashtu se Moska ishte në kontakt me të gjitha grupet e opozitës siriane dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga dhuna.

Këta të fundit janë parë gjithashtu teksa shoqërojnë kryeministrin izraelit, me qëllim transferimin e pushtetit. Situata gjithsesi është e paqartë në kuptimin nëse do të shpallen apo jo momentalisht zgjedhje në Siri, pasi kryengritja vijon në veri të vendit, ku rebelët kanë marrë disa territore të kontrolluara nga kurdët.

Çfarë ka ndodhur ndërkaq në Siri gjatë kësaj kryengritjeje të suksesshme?

Në një kthesë të paprecedente ngjarjesh brenda pak ditësh, rebelët në Siri kanë arritur të marrin kontrollin e shteteve kyçe, mes të cilëve dhe kryeqyteti, Damasku, duke shpallur kështu përfundimisht fundit e regjimit të diktatorit Bashar al-Assad.

Në orët e vona të natës, grupimet e para të rebelëve ishin në zonat përreth Damaskut, teksa pas mesnate filloi edhe marrja e rrethinave të para, pa rezistencë nga Ushtria siriane, e cila duket se e ka braktisur detyrën dhe është kthyer në popullatë civile, ose ka dezertuar në Irak.

Avancimi vijoi më tej në orët e para të mëngjesit me orën vendore siriane, ku rebelët shpallën marrjen e Damaskut dhe u gjendën përpara portave të godinës presidenciale të Assad, siç raportohet krejtësisht e boshatisur.

Edhe pse ishte lajmëruar se Assad do të mbante një fjalë që dje në orët e mbrëmjes, diçka e tillë nuk ndodhi, me raportime se ai ishte arratisur drejt Emirateve të Bashkuara Arabe me një avion privat.

Këto raportime filluan të hidheshin poshtë dhe komente dolën në sipërfaqe se Assad vijonte të ishte në Damask.

Nga sa mund të thuhet, versioni i fundit jozyrtar është ai se përpara rënies së Damaskut, Assad ka hipur në një avion ushtarak nga aeroporti ndërkombëtar i kryeqytetit sirian, drejt një vendodhje të panjohur. Mirëpo avioni në mes fluturimi, në afërsi të rajonit të Homs, në perëndim të tij, ka humbur gjurmët nga radari, me hipoteza që variojnë nga një ulje e detyruar në përplasje.

Fati i Assad mbetet një mister për kohën e shkrimit të këtij artikulli, me përditësime të pritshme gjatë ditës.

Ishte më pas kryeministri sirian, Mohammad Ghazi al-Jalali, ai i cili bëri një adresim publik në formatin video, duke thënë se ishte në Damask dhe ishte i gatshëm të transferonte pushtetin me bashkëpunim, kundrejt kujtdo lidershipi që populli sirian vendos t’i japë votën.

Vetë rebelët sirianë ndërkaq pretendojnë se kanë pushtuar kryeqytetin e Damaskut, duke njoftuar rënien e regjimit të al-Assadit, sipas raporteve të Reuters dhe Al Jazeera.

“Tirani Bashar al-Assad ka ikur”, tha opozita e armatosur në një deklaratë. “Ne e shpallim Damaskun të lirë nga tirani Bashar al-Assad”.

Reagime të menjëhershme ndërkohë kanë ardhur edhe Izraeli, me deklarata se shteti hebre nuk ka ndërmend të ndërhyjë në ngjarjet e fundit në Siri. Megjithatë, në zonën veriore, në lartësitë Golan, një rajon sirian i pushtuar nga Izraeli, ka një mobilizim të shtuar nga IDF, ku janë futur edhe brenda territorit sirian, për të krijuar një barrierë të mundshme kundër infiltrimit të rebelëve sirianë./albanianpost/