Refuzohet babai i Agonis Tetajt: Nuk përjashtohet trupi gjykues

Refuzohet kërkesa për përjashtim të trupit gjykues nga kryetari i Gjykatës së Pejës Armend Berisha, ku babai i të ndjerit Agonis Tetaj, Isuf Tetaj kishte kërkuar përjashtimin e trupit gjykues në trajtimin e rastit ku djali i tij mbeti i vrarë në vendin e punës nga i akuzuari Shaban Gogaj.

Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate Tringa Zhuti.

“Është refuzuar kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues”, tha Zhuti për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sot pritet që Gjykata Themelore në Pejë të shpallë aktgjykimin për rastin ku Shaban Gogaj po akuzohet nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e tani të ndjerit Agonis Tetaj, në shtatorin e vitit 2018, në kompaninë “Gogaj Ag”.

Gogaj po akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ashtu sikurse edhe i pandehuri Isuf Cacaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas rikualifikimit të veprës penale nga prokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Agron Uka, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, i akuzuari Shaban Gogaj, në seancën e 16 marsit, e ka pranuar fajësinë për veprën në fjalë.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, mori vendimin për aprovimin e pranimit të fajësisë, kurse shpalljen e aktgjykimit e caktoi për sot, në ora 14:30.