Refuzohet propozimi serb që anëtarësimi i Kosovës në KiE të kushtëzohet me Asociacionin
Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Europës i ka hedhur poshtë të gjitha amandamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Mësohet se me shumicë votash u refuzuan të gjitha amandamentet e propozuara nga delegacioni serbë dhe deputetëve italianë.
Kjo u konfirmua edhe edhe në mediat serbe.
Tash, diskutimi për kërkesën e Kosovës për t’u pranuar në Këshillin e Evropës do të fillojë rreth orës 16:30 në Asamblenë Parlamentare.
Dje në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës u votua unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim, përpara se Asambleja Parlamentare ta shqyrtojë sot raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës.
Nëse Asambleja Parlamentare e jep dritën e gjelbër sot, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.

