Refuzohet si e pabazuar padia për shpifje dhe fyerje e Mimoza Kusari-Lilës ndaj Ardian Gjinit
Gjakovë- Gjykata Themelore në Gjakovë e ka refuzuar si të pabazuar padinë për shpifje dhe fyerje, të ushtruar nga Mimoza Kusari-Lila ndaj kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjinit.
Padia ishte ushtruar më 13 nëntor 2017, ku Mimoza Kusari-Lila përmes padisë ka kërkuar kompensimin e dëmit moral për shpifje dhe fyerje ndaj të paditurit Ardian Gjini. Objekt i padisë janë deklarimet e kryetarit të Komunës së Gjakovës në kohën e fushatë elektorale komunale, ku në garë ishte edhe Kusari-Lila, aktualisht deputete në Kuvendin e Kosovës në grupin parlamentar të Vetëvendosjes.
Në vendimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës, marrë më 9 gusht 2024, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se fillimisht gjykata duke u mbështetur në udhëzimet e Gjykatës së Apelit dhe mbi bazat e parimeve të GJEDNJ dhe në ndërlidhje me gjendjen faktike të vërtetuar, ka vlerësuar se deklarimet e të paditurit, të dhëna përgjatë fushatës zgjedhore, në cilësi të kandidatit për kryetar komune, janë bërë në konstekstin e fushatës zgjedhore dhe janë kritika dhe vlerësime të tij rreth udhëheqjes aktuale të Komunës së Gjakovës nga paditësja në kohën e zhvillimit të debatit.
Sipas vendimit, ato deklarime të paditurit drejtuar kundër-kandidates së tij në garë-paditëses, si kryetare e komunës në kohë zgjedhjesh, nuk kishin për qëllim vlerësimin e personalitetit të paditëses, por se të njëjtat ishin vlerësim i të paditurit rreth ushtrimit të funksionit të saj publik, funksion i cili përbën një çështje të ngritur në interesin e përgjithshëm të qytetarëve.
Po ashtu, në vendim thuhet se gjykata ka vlerësuar se pretendimi i të autorizuarës të paditëses se në rastin konkret nga vet deklarimet e të paditurit të dëgjuar në cilësi të palës, rezulton se kemi të bëjmë me pohim të kërkesëpadisë, mirëpo gjykata i gjeti si të pabazuara, kjo për faktin se i padituri përgjatë procedurës nuk kishte mohuar asnjëherë të kishte bërë deklarimet e tilla si në kërkesëpadi, por që i njëjti përgjatë kësaj procedure kishte kontestuar pretendimin e paditëses se këto deklarime përbëjnë shpifje dhe fyerje.
Gjykata i ka vlerësuar edhe deklarimet dhe provat e tjera të palëve ndërgjygjëse, dhe ka erdh në përfundim se të njëjtat janë pa ndikim në vendosjen meritore të kësaj çështje juridike kontestimore.
Andaj, gjykata ka vlerësuar se meqenëse nuk është vërtetuar baza juridike e kërkesëpadisë, i padituri nuk ka për detyrim që paditëses t’ia kompensojë dëmin mbi bazën e shpifjes të kërkuar si në kërkesëpadinë e precizuar.
Ndërsa, është detyruar paditësja Mimoza Kusari-Lila që në emër të pagesës për shpenzimet e procedurës, të paditurit të ia paguajë shumën prej 900 e 6 euro, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi.

