Refuzoi dekretimin e Blerim Isufajt, KPK-ja i kundërpërgjigjet presidentes

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se ka mbajtur një takim, pas njoftimit të presidentes Osmani për mosdekretimin e Kryeprokurorit të ri të shtetit, Blerim Isufaj.

Në njoftimin e KPK-së, thuhet se ata kanë shprehur mospajtim ndaj deklaratave të presidentes, duke thënë se janë të ndërtuara mbi një rrafsh politik më shumë se sa kushtetues dhe ligjor.

“KPK-ja ka mbajtur publikun të informuar vazhdimisht lidhur me komunikimet zyrtare dhe shkresat e adresuara në Zyrën e Presidentes, si dhe më herët edhe lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, prandaj konstatoi se, Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”, thuhet në komunikatën e Këshillit Prokurorial.

Tutje, në njoftim thuhet se KPK ka vlerësuar se deklaratat e tilla përbëjnë ndërhyrje në punën e sistemit prokurorial, përkatësisht në institucionin e Prokurorit të Shtetit.

Në njoftim, KPK është shprehur se lidhur me deklaratat e sotme për kërcënime, e fton presidenten e vendit që t’i dërgojë provat dhe dëshmitë në organet kompetente, në mënyrë që të ndriçohet rasti.

Sa i përket vlerësimit të procedures, Këshilli Prokurorial ka theksuar se qëndron prapa procedurave të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe se deklaratat e tilla, për kinse, evidentimin e të gjitha shkeljeve nga ana e KPK-së, janë në kundërshtim të hapur dhe në këtë kuptim, Presidentja e Republikës as nuk mund të emërojë ndonjë prokuror pa propozimin e Këshillit Prokurorial, por as nuk mund të refuzojë propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e prokurorëve.

“Siç u tha më tej në këtë takim, e vetmja hapësirë ku Presidentja e Republikës, në kuptim të kompetencës në paragrafët 5, 6 dhe 7 të Nenit 109 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, ku mund të veprojë është që mund të refuzojë një propozim të Këshillit Prokurorial nëse ai/ajo nuk i përmbush kushtet formale, por kurrsesi ta refuzojë atë për arsye substanciale”, thuhet në njoftim.