Refuzon ta komentojë Haradinajn: Nuk është në terezi njeri

Gjatë një debati ku flitej për Gjykatën Speciale me seli në Hagë dhe hetimet e saj ndaj ish-luftëtarëve të lirisë, ka pasur edhe diskutime të nxehta se kush ishte kundër luftës e UÇK-së e në një periudhë kohore punuan kundër saj.

Një vlerësim jo të mirë sa i përket kësaj çështje ka dhënë edhe Nasim Haradinaj, i cili tha se një pjesë e drejtuesve të LDK-së në krye me Ibrahim Rugovën, kanë punuar kundër UÇK-së.

“Rugova është tradhtar që ka shku në Beograd për me i ndal bombardimet”, ka thënë në një rast Haradinaj.

E ndonëse nuk ka dashur t’i komentoj deklaratat e Haradinajt, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Rugova, thotë se ai nuk është në terezi.

“Të them të drejtën, unë Nasim Haradinajn nuk e komentoj për një arsye. Te ne është një thënie popullore, nuk është në terezi njeri”, tha Rugova për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.

Rugova për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, tha se ish-presidenti Ibrahim Rugova nuk ka qenë tradhtar.

“Dhe një gjë e di, që Ibrahim Rugova nuk ka qenë tradhtar”, tha Rugova shkurt si përgjigje ndaj atyre që tha nënkryetari i veteranëve.

Duke e ripërsëritur që Ibrahim Rugova nuk ka qenë tradhtar, nënkryetari i LDK-së, tha se nuk e di edhe pse Haradinaj e tha këtë.

“Nuk e di pse e ka thënë Nasim Haradinaj këtë gjë, por një gjë është e sigurt që Ibrahim Rugova tradhtar nuk është”, tha ai për FaktePlus.

Kurse Haradinaj tutje mbrëmë ka thënë se vrasjet shpesh po përdoren për poena politik.