Rekomandohet vaksinim i obligueshëm për këto kategori

Organizata DemocracyPlus ka dhënë disa rekomandime për Minsitrinë e Shëndetësisë lidhur me procesin e vaksinimit kundër koronavirusit në Kosovë.

Kjo organizatë ka kërkuar që të vendosen qendra për vaksinim në fshatra, pasi jo të gjithë qytetarët e kanë mundësinë të frekuentojnë qendrat kryesore të vaksinimit.

Në njoftimin e D+, po ashtu rekomandohet që vaksinimi të bëhet i obliguar për mësuesit, punëtorët e marketeve, personelin në bizneset e hotelerisë, shoferët e autobusëve dhe taksive.

Njoftimi i plotë:

Me paraqitjen e variantin Delta, dhe numrit të madh të rasteve me covid-19, DemocracyPlus ka publikuar raportin me krahasimin e numrave të rasteve me variantin Delta në vendet si: Francë, Lituani, Luksemburg, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut, Shqipëri dhe Serbi.

Nga ky raport D+ jep rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për motivimin/nxitjen e qytetarëve për t’u vaksinuar.

Disa nga rekomandimet janë:

Vendosja e qendrave për vaksinim në fshatra, pasi jo të gjithë qytetarët e kanë mundësinë të frekuentojnë qendrat kryesore të vaksinimit;

Të formohen ekipe mobile për vaksinim në zonat më të thella dhe tek pacientët më të moshuar;

Vaksinimi për mësuesit/et, punëtorët/et e marketeve, personeli në bizneset e hotelerisë, shoferëve/eve të autobusëve dhe taksive të bëhet i obliguar, kjo pasi këto janë kategoritë që kanë kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët;

Të organizohen debate publike dhe emisione televizive me ekspert shëndetësor për të shpjeguar efikasitetin e vaksinës, dhe të jetë të hapura për pyetje nga publiku;

Vaksinimi të vazhdojë edhe gjatë fundjavave, në mënyrë që të ofrohen më shumë mundësi për vaksinim nga qytetarët.