Renditja e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit pas intervistimit

Pas pëfundimit të procesit të intervistimit, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) përmes një komunikate njofton se cila është renditja e pesë kandidatëve që janë në garë për Kryeprokurorin e Shtetit.

Në garë për këtë pozitë janë: Blerim Isufaj, ish-kryesues i KPK-së dhe aktualisht kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Kujtim Munishi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti, prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, si dhe Lulzim Sylejmani e Shqipdon Fazliu, të dy prokurorë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

KPK njofton se pas përfundimit të intervistës, secili nga anëtarët e Panelit vlerësues ka bërë në mënyrë të pavarur poentimin e kandidatëve, ndërsa pas kalkulimit të të gjithë poenëve, në prani edhe të monitoruesve të këtij procesi, kandidatët janë renditur si në vijim:

Blerim Isufaj;

Shqipdon Fazliu;

Kujtim Munishi;

Armend Hamiti;

Lulzim Sulejmani.

Paneli vlerësues ishte në përbërje të: Jetish Malokut, kryesues i KPK-së dhe i këtij paneli, si dhe anëtarëve të KPK-së, po ashtu anëtarë të këtij paneli, prokurorët Arjana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq.

“Secili nga kandidatët ka pasur në dispozicion 45-60 minuta kohë për t’u përgjigjur në pyetjet e pesë anëtarëve të komisionit. Procesi i intervistimit është monitoruar nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa të gjitha intervistat janë xhiruar nga Radiotelevizioni i Kosovës dhe nesër e shtunë, 19 mars 2022, të njëjtat do të transmetohen nga ky medium publik”, thuhet në njoftim.

“Në pajtim me Rregulloren nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, paneli vlerësues, brenda pesë ditëve nga dita e përfundimit të procesit të vlerësimit do t’i njoftojë kandidatët me poentimin përfundimtar dhe poentimin individual të anonimizuar nga secili anëtar i Panelit vlerësues, bashkë me arsyetimin për secilën kategori poentuese”, thuhet tutje në njoftimin e KPK-së.