Rënia e Kurtit godet fort projektin dhe ëndrrat serbe

Ardian Azemi

Është interes nacional dhe kombëtar që Albin Kurti të largohet nga pushteti, madje të mos jetë fare pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kurti jashtë institucioneve do të thotë një goditje e fortë për projektet dhe ëndrrat serbe për Kosovën. Është e rëndë për t’u thënë, por fatkeqësisht kjo është e vërteta.

Gjatë zvarritjes njëvjeçare për formimin e institucioneve, Kurti ia hodhi fajin partive të tjera, ndërsa populli e përpiu propagandën.

Në këtë skenar nuk mungoi as noterja e tij politike, madje nga pozita e shefes së shtetit, Vjosa Osmani, e cila në vend që të ishte garante e rendit kushtetues, u shndërrua në pjesë të lojës politike të Kurtit.

Vetëvendosje sot është parti vetëm në emër. Në realitet, ajo është një strukturë e zbrazët që sillet rreth një njeriu të vetëm.

Kurti është kryetar, nënkryetar, sekretar, kryesi, Këshill i Përgjithshëm, kryetar dege e kryetar komune në të njëjtën kohë.

Të tjerët janë thjesht figurantë politikë, pa zë dhe pa personalitet.

Era e mendimit të lirë nuk u vjen fare.

Përjashtim bën vetëm Dejona Mihali, e cila duket se e ka marrë për detyrë të luftojë çdo gjë që lidhet me UÇK-në, me shtetin dhe me vetë identitetin politik të Kosovës.

Sa për Vjosa Osmanin, është e qartë se ajo po përballet me pasojat e zgjedhjeve të veta politike. E ka gjetur pikërisht atë që ka kërkuar.

Sot shumë njerëz e kanë parë fytyrën e vërtetë të Albin Kurtit.

Nuk e di nëse vendi do të shkojë sërish në zgjedhje apo jo, por një gjë është e sigurt: rënia e tij do të shënonte një moment historik për Kosovën dhe një çlirim politik për shoqërinë tonë.