Rënia nuk është një dështim, dështimi është të qëndrosh aty ku ke rënë

Mirishahe Limani Hiler

Barrierat mendore që na pengojnë të ecim përpara, janë në fund të fundit vetëm disa pengesa që mund t’i kalojmë nëse kemi besim në vetvete dhe në mundësitë tona. Guximi dhe vendosmëria për t’i kapërcyer barrierat  është çelësi i suksesit.

Guximi, besimi dhe mundësia janë brenda nesh, prandaj asnjërën nuk duhet t’i lëmë të «fjetura» duke fajësuar të tjerët, rrethin në të cilin gjendemi, për dështimet tona.

Nëse synojmë të arrijmë diçka, duhet të ndryshojmë vetveten e jo t’i ndryshojmë të tjerët.

Pak më shumë optimizëm, një buzëqeshje, pak butësi, durim, mirëkuptim e tolerancë në vetëbesim – do të ishin një recetë suksesi!

Të kesh një punë në jetë, është gjë e mirë, por të marrësh rreziqe dhe t’i përmbahesh një fushe që është e rëndësishme për veten tonë e që e duam, është edhe më e mirë.

Diploma nuk e ka bërë kurrë dikend të lumtur, por punët që ai ka zgjedhur t’i bëjë në jetën e tij.

Gjithmonë pra njerëzit e suksseshëm dëgjojnë veten dhe nuk dëgjonjë të tjerët!

Për të qenë në harmoni me marrëveshjen që bëjmë me veten, ne fillimisht kemi vepruar duke e ekspozuar veten në mënyrë të rrezikshme për të fituar, që të jemi të lumtur dhe madje të mirë në punët tona, sado të shumta që të jenë ato!

Nga të tjerët gjithmonë duhet të dëgjojmë këshillat, por vet duhet të marrim vendimet për vete. Në të vërtetë, ata përreth nesh janë të pozicionuar në lidhje me frikën dhe përvojat e tyre, të cilat nuk janë domosdo tonat.

Andaj shkojmë përpara!

Të bëjmë atë që duam, është mënyra më e mirë për të qenë krijues, imagjinativ, aktiv, produktiv.

Dikush mund t’ju thotë se: Jeni me fat që arrini gjithmonë atë që doni.

Tjetri mund t’ju përgjigjet se është me fat, sepse s’ka kërkuar më shumë se sa të kalojë disa barriera falë besimit në vetvete dhe mundësive mendore.

Është e rëndësishme të mos kesh frikë nga e panjohura për të përjetuar mundësi të reja.

Rënia nuk është një dështim, dështimi është të qëndrosh aty ku ke rënë. (Buda)

Dikush i tha tjetrit se ju jeni gjithnjë në lëvizje, jeni të paqëndrueshëm, ju keni ndërruar shumë vende të punës gjatë jetës aktive. Edhe në formimin tuaj profesional keni tri drejtime krejtësisht të ndryshme që nga kolegji juaj.

Ai i përgjigjet: ju mund të keni përfunduar studimet që korrespondojnë me pozicionin tuaj sot, jeni në vendin e juaj të punës prej një kohë të gjatë dhe kjo ju përshtatet, por unë kam ushtruar një seri profesionesh, aktivitete të shumta sektoriale dhe kam kaluar nëpër ato ndërmarrje që ju nuk do të keni kurrë mundësi ta bëni.

Prandaj, ju e keni të humbur këtë mundësi, ju nuk keni kaluar as afër kësaj pasurie!