Respektojini të vdekurit dhe familjet e tyre kur shkoni në varrime
Ka kohë që më bie në sy një shëmti e neveritshme përgjatë varrimeve. Derisa përcillet xhenazja e gjatë kohës kur kryhen obligimet fetare, njerëz të tërë ia krisin muhabetit si të ishin në kafehane.
Disa shihen duke u zgërdhyer e duke qeshur me zë. Shkojnë në varrim kinse për respekt, por ata nuk respektojnë as të vdekurin e as familjarët e të vdekurit.
Me këto sjellje po tregojnë paedukatën e tyre të skajshme.
Hajde që nuk hyjnë në safe për t’ia falë xhenazen, hajde nëse janë të panjerëzishëm në jetën e tyre, por së paku të tregojnë kulturë duke e respektuar të vdekurin.
Ka pas raste kur u kam reaguar të tillëve me ndonjë shikim poshtërues. Duke dashur tu them se janë të paditur e të paedukatë.
Shfrytëzoj nga rasti t’i bëjë thirrje hoxhallarëve tua tërheqin vërejtjen këtyre njerëzve.
Nuk gabojnë fare nëse edhe me mikrofon në dorë u thonë të heshtin.
Bile, e konsideroj për obligim të hoxhallarëve ta bëjnë një gjë të tillë.
Dikush duhet t’i mësoj këta njerëz e tu tregoj se koha e varrimit nuk është kohë muhabeti.
Por është kohë lutje tek Allahu për mëshirë ndaj të vdekurve e për respekt ndaj tyre dhe familjarëve të tyre.
Kjo që po ndodh tek shqiptarët vështirë ta gjesh tek ndonjë popull tjetër.
O ju njerëz! Tregohuni respektues së paku në këto raste të ndjeshme. Leni muhabetet nëpër varrime.
Përndryshe, pse të jeni pjesëmarrës aty. Në vend të sevapit e respektit, ju po hyni n’xhynah e po tregoni paedukatën tuaj. Po tregoni mosrespekt ndaj të pranishmëve. E hiç e më hiç ndaj të vdekurve dhe familjarëve të tyre….!
Hoxhë Mustafë Bajrami
