Revista gjermane e shpall Robin Krasniqin “Boksier të vitit 2020”
Boksieri profesionist me banim në Mynih, Robin (Haxhi) Krasniqi, falë suksesit që arriti vitin e kaluar, nuk është vetëm i përzgjedhuri i sportdashësve shqiptarë. Atë, së fundi e ka shpallur “Boksier të Vitit” në Gjermani, revista e atjeshme e boksit “Boxen.1”.
Ja si e prezanton sportistin shembullor shqiptaro-gjerman revista e përmendur.
Robin Krasniqi (51-6 (1), është “Boksieri i Vitit 2020”! Përveç 33-vjeçarit nga Mynihu, ishte nominuar edhe Jack Culcay, i cili mbeti për pak prapa Krasniqit, transmeton albinfo.ch.
Krasniqi u ngjit dy herë në ring vitin e kaluar dhe të dy herët ia doli të fitonte në kohë të shkurtë. Pasi që mundi Stanislav Eschner me TKO në raundin 6, në muajin gusht, i përgatiti një surprizë të madhe më 10 tetor 2020, kur po ashtu përmbushi ëndrrën e tij jetësore.
Ai ishte “kundërshtar zëvendësues”, sepse sfiduesi i planifikuar fillimisht i Dominic Bösel-it (ish kampionit), Zac Dunn, nuk mundi të udhëtonte në Gjermani për shkak të pandemisë së koronës. Por Robin Krasniqi me fitoren e tij siguroi që “Sensacioni i Kupës së Botës 2020” të mbetej në tokën gjermane, përcjell albinfo.ch.
Në luftën për titujt e kampionit botëror IBO dhe WBA (të përkohshëm) në kategorinë e peshës gjysmë të rëndë, Krasniqi i lindur në Kosovë, ka nokautuar kolegun e tij të fortë, që në raundin e tretë.
Krasniqi i prishi kështu Bösel-it rastin e parë për të mbrojtur titullin botëror dhe përmbushi ëndrrën e tij të kahmotshme për t’u bërë kampion bote.

