Rexhep Malaj, promotori dhe truri i lëvizjes ilegale shqiptare

Shkruan: Nijazi Musmurati

(Biografi, rrëfim, përjetim dhe përshkrim kujtimesh me rastin e 41 vjetorit të rënies në altarin e lirisë të heroit Rexhep Malaj (1951-1984)

Nga fillimi i marrjes me veprimtari atdhetare e deri te rënia heroike për lirinë e atdheut

Dashuria për atdheun për Rexhepin ishte e shenjtë, ishte pasion, djersë, sakrificë, më e madhe se çdo forcë, ishte detyrë mbi gjitha detyrat.

Të flasësh, të shkruash, të rrëfesh, të kujtosh apo të përshkruash për biografinë dhe veprimtarinë patriotike, atdhetare dhe heroike të pavdekshmit, yllit të pashuar – Rexhep Malajt është nder dhe krenari.

Duhet të kesh informacione të dorës së parë dhe begram të pasur për veprimtarinë e tij të gjithanshme, patriotike dhe atdhetare, e këtë informacion e kam të shkruar dhe e posedoj akoma të freskët në mendjen time dhe do e shpalosë këtu.

Nuk mjafton të përkujtohet vetëm përvjetori i rënies dhe të kujtohet në mënyrë kalimthi, sa vetëm për të thënë se u kujtua heroi, trimi, atdhetari, apo veprimtari Rexhep Malaj, por të kujtohet në vazhdimësi duke organizuar tryeza të ndryshme, debate, orë letrare, tubime etj. ku do të pasqyrohej dhe pasurohej akoma veprimtaria patriotike dhe atdhetare, për të bëmat e tij guximtare me plot aksione e sakrifica në interes të atdheut sepse ia kemi borxh heroit dhe popullit.

Populli ynë i robëruar dhe i okupuar në të kaluarën kaloi një jetë më tepër se mizore, jetë tmerri, jetë ferri.

Duke u njohur dhe dëgjuar për vuajtjet, zullumet dhe mizoritë ndaj popullit nga më të vjetrit, Rexhepi iu përkushtua me tërë qenien e tij punës patriotike dhe atdhetare në shërbim të kauzës kombëtare.

Të gjitha ngjarjet e ndodhura të popullit tonë deri më tani, nuk kanë ndodhur vetvetiu. Ato kanë patur një shkak apo arsye dhe këto duhet të tregohen apo të shkruhen që të njoftohet opinioni i gjerë e sidomos gjeneratat e reja.

Për të ardhur te kjo ditë që sot ne gëzojmë, përjetojmë dhe frymojmë të lirë, janë bërë shumë përpjekje dhe sakrifica të njëpasnjëshme brez pas brezi.

Pa veprimtarinë patriotike dhe atdhetare të Rexhepit, Nuhiut dhe të tjerëve dhe në fund luftës së UÇK-ës dhe aleatëve tanë as që do të imagjinohej liria të cilën po e gëzojmë dhe përjetojmë sot.

Rexhep Malaj ishte promotori dhe truri i lëvizjes ilegale shqiptare. Punoi pa u ndalë as një çast duke shkruar broshura, afishe, trakte, artikuj të ndryshëm, parulla kundër aparatit shtetëror Jugosllav Titist i cili po i shtypte shqiptarët në mënyrën më tinëzare, të egër dhe mizore.

Me heroin Rexhep Malaj – krenarinë e kombit, njeriun e guximit dhe veprimit, njeriun e sakrificës dhe qëndresës, njeriun e ilegalitetit, qelisë dhe burgut, njeriun e fjalës, besës dhe përkushtimit, njeriun e aksionit i cili ishte i vendosur dhe i gatshëm në çdo çast dhe moment të flijohej për atdheun, kaluam një kohë bukur të gjatë sepse fati deashi të ishim miq dhe shokë të një gjenerate.

Ky shkrim është pa lavdërime dhe hiperbolizime, pa imponime dhe anime por në origjinalitet ashtu siç i kam parë dhe përjetuar ngjarjet.

Që nga mosha e re, shpirtin e Rexhepit e mundonte dhe preokuponte çështja e pazgjidhur e shqiptarëve. Si i ri kishte dëgjuar histori dhe rrëfime rrëqethëse nga njerëzit atdhetarë të Hogoshtit për vuajtjet dhe trimërinë që kishin treguar burrat e Hogoshtit dhe të tjerët në luftën e ndodhur të Kikës.

Në vitin 1965 familja e Rexhepit shpërngulet nga Hogoshti në Gjilan. Në Gjilan ishim afër me shtëpi. Pasi që ishim miq dhe shokë u takonim gati çdo ditë. Unë isha në shkollën normale kurse Rexhepi në Gjimnaz.

Atë kohë të dy shkollat ishin afër njëra tjetrës dhe u takonim shpesh. Në Gjimnaz, Rexhepi menjëherë zgjeroi rrethin e shokëve liridashës dhe kishte aftësi të jashtëzakonshme në përfitimin e shokëve dhe njerëzve tjerë të rinj.
Regjepi ishte njeriu kryesor dhe kyq, icili punoi aq shumë në organizimin e demonstratës së ndodhur të 27 nëntorit të vitit 1968 në Gjilan.

Demonstrata filloi në ora 12.00 dhe u zhvillua përgjatë qendrës së qytetit duke brohoritur parullat: Kushtetutë, Universitet, Republikë, Bashkohuni me ne.

Rexhepi shpesh dilte nga turma dhe fotografonte demonstruesit dhe pëseri futej në demonstratë.

Të gjitha parullat dhe përmbajtjet e tyre për demonstratën e ndodhur në Gjilan u shkruan në odën e të madhit dhe të pavdekshmit Rexhep Malaj.

Me të mbaruar demonstrata në Gjilan Rexhepi së bashku me shokun e tij Fatmir Salihu nisen me motor për të marrë pjesë në demonstratë që ishte paraparë të zhvillohej më vonë në Prishtinë.

Këto demonstrata të zhvilluara në vitin 1968 lanë gjurmë të pashlyera në ngjarjet e mëvonshme të Kosovës ku në vitin 1970 u formua Universiteti i Prishtinës si dhe u avancuar Kushtetuta e Kosovës e vitit 1974.

Pas disa ditësh udhëheqësit politik komunal dhe ata krahinor ia mësynë nëpër të gjitha shkollat, fakultetet, organizatat punonjëse që të i detyrojnë punëtorët, mësimdhënësit dhe nxënësit që t’i dënojnë demonstratat duke iu dhënë epitetin kundërrevolucionare, armiqësore, separatiste, irredentiste të drejtuara kundër vëllazërim bashkimit dhe rendit kushtetues të Jugosllavisë.

Për arsye të marrjes pjesë në demonstratën e ’68-ës e përjashtojnë nga Gjimnazi, por regjistrohet gjimnazin e Preshevës dhe arrin ta përfundoj.

Në një rast në bisedë e sipër, neve disa shokëve Rexhepi na drejtohet me fjalët: Po t’i kisha 100 shokë që vendosin të vdesin revolucioni do të triumfonte në Kosovë. Ne i themi çka janë 100 njerëz karshi ushtrisë dhe policisë serbe dhe Jugosllave? Rexhepi u shpreh aty për aty se një person kur vendosë të vdes bën mrekulli po 100 revolucioni në Kosovë triumfon.

Në shtator të vitit 1970, Rexhepi së bashku me Isa Kastratin, Ferdeze Muja dhe Sami Dërmakun hedhën në territorin e shtetit shqiptar duke kaluar kufirin ilegalisht. Gjatë qëndrimit disa mujorë në Shqipëri, Rexhepi përgatitej në çdo aspekt për t`u kthyer dhe vepruar në Kosovë edhe më fuqishëm dhe më i përgatitur së bashku me Isa Kastratin dhe Sami Dermakun. Kurse Ferdeze Muja kishte mbetur në Shqipëri edhe më tutje.

Rexhepi me t’u kthyer nga Shqipëria dhe mbajtjes së burgut për kalim ilegal të kufirit, menjëherë fillon veprimtarinë atdhetare dhe të kryej detyrat që kishte marrë nga krerët e shtetit shqiptar të asaj kohe.

Duke ecur rreth kazermës ushtarake jugosllave me Haqif Krasniqin në vitin 1970 kërceu rrethojën me tela dhe gjemba dhe futet në brendësi të kazermës duke bërë numërimin e mjeteve motorike, si tankeve, topave, kamionave etj, për të ju dërguar informatat shtetit shqiptar që kishte marrë porosinë.

Pritej vetëm kur të dëgjohej krisma dhe ta vrasin. Këtë aksion e kryen me sukses të plotë pa u zbuluar nga askush duke u përshtatë se ishte punëtor civil i kazermës.

Unë Njazi Musmurati pas diplomimit në shkollën Normale në vitin shkollor 1970/71, jam inkuadruar në shkollën fillore “Liria” të Marecit komuna e Prishtinë ku punova një vit.

Meqenëse Rexhepi kishte diplomuar me vonesë (ngase e kishin përjashtuar nga gjimnazi i Gjilanit) i propozoj që të vije të punojë në gjysmëvjetorin e dytë të vitit 1972 në Marec – ashtu dhe ndodhi.

Me të filluar punën iu përkushtua shpirtërisht edukimit dhe arsimimit të nxënësve në frymën atdhetare duke u mbjellë ndjenjat atdhedashurie çka dhe u bë shumë i dashur te nxënësit, të prindërit dhe të tjerët.

Vlen të përmendet kremtimi i ditës së shkollës në maj të vitit 1972 ku kishin ardhur mysafirë të shumtë dhe shumë fytyra politike të Krahinës të asaj kohe si: Bejto Novobërdaliu, ilaz Kurteshi, Sadik Vllasaliu, Bogolub Nenedelkoviq etj.

Me të filluar kremtimi, grupi i ynë filluam të këndojmë këngë patriotike dhe këngë për Enver Hoxhën gjithnjë në drejtimin dhe dirigjimin e Rexhepit. Me të dëgjuar këto këngë një pjesë e njerëzve dhe fytyrave politike filluan të tërhiqen ngadalë nga salla.

Gjatë luftës së fundit të vitit 1999 shtëpia e Hamzë Makollit ishte shndërruar në shtabin e UÇK-ës aty ku punoi dhe qëndroi Rexhepi.

Në vitin 1967 duke shëtitur me Rexhepin dhe disa shokë të tjerë në korzonë e qytetit ku shëtisnin numër i madh njerëzish atë kohë (shqiptarë dhe serbë) në orët e mbrëmjes (ata të cilët e mbajnë ndërmend ju kujtohet korzoja e atëhershme) e stërmbushur me njerëz.

Para neve ishin duke ecur – shëtitur Radisllav Stojanoviq (i quajtur në popull si Rada i Cërnicës) i cili ishte kryeshef i sekretariatit të punëve të brendshme dhe Aleksandër Periç (i njohur në popull si Cana i Ranillugut) i cili ishte nënkryeshef i sekretariatit të punëve të brendshme të Gjilanit.

Rexhepi posa i pa largohet nga ne dhe u hyn në mes duke i shtrënguar për krahë të dy sa mundte duke u thënë dhe kërcënuar herë njërit e her tjetrit: ti je Rada, tije Rada …. dorën tjetër te Cana duke e shtrënguar se ti je Cana, ti je Cana….disa herë duke ju përsëritë emrat dhe gjithnjë duke i shtrënguar aq sa kishte forcë.

Ne shokët e tij dorën në zemër u frikësuam se çka do të ndodhë më pastaj. Të dy u frikësuan shumë dhe nuk bënë zë duke u larguar ngadalë nga korzoja. I themi Rexhepit se çka bëre kështu? A e din se kush janë ata? U përgjigj: i di shumë mirë. Këta janë kriminel dhe gjakpirës të popullit tonë. Vetëm me presion të formave të ndryshme mund ti frikësojmë dhe detyrojmë të largohen nga Kosova. Fatmirësisht shpëtuam.

Në vitin 1972/73 Rexhepi ishte në vlugun më të madh të veprimit ilegal të tij si: në shpërndarjen e trakteve, zgjerimin e celulave të reja të shokëve dhe sigurimin e armëve ku kishte bë një bunker në shtëpinë e tij duke thënë se duhet të përgatitemi për luftë të armatosur.

Shpërndante afishe dhe trakte kudo në trojet shqiptare me përmbajtje për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi.

Në vitin 1973, Rexhepi i lidhur me litar për trupi, në muret e jashtme të konvikteve të studentëve në Prishtinë shkroi parullat “Kosova Republikë” me ngjyrë të theksuar “llak” të cilat parulla organet policore përgjegjëse të asaj kohe nuk kanë mundur t’i heqin një kohë të gjatë nga muret e konvikteve.

Në banesën në të cilën banonim si studentë në Kodrën e Diellit në Prishtinë në vitin 1972/73 Basri Musmurati, Fazli Avdullahu, Kadri Avdullahu dhe unë Njazi Musmurati Rexhepi e përdorte tërë ditën deri në orët e vona të mbrëmjes për të përgatitur dhe shkruar trakte, afishe, fletushka për t’i shpërndarë ndër shokë dhe në vise të ndryshme të banuara me shqiptarë, ngase në banesën në të cilën banonte në rrugën “Xhemajl Ibishi” ishte hetuar nga disa të dyshuar shqipfolës – bashkëpunëtorë të UDB-ës.

Këtë vit, disa herë shkoi në Ambasadën Shqiptare në Beograd për të sjellë libra dhe revista të ndryshme. Përveç që ishte i guximshëm dhe trim, lexonte shumë për të dalë sa më i përgatitur. Librat, revistat, komentet dhe materialin propagandues që u jepte shokëve për lexim iu kërkonte dhe mendimet e tyre lidhur me librin apo revistën e lexuar se ç’far përshtypjesh apo mbresash ju kishin lënë.

Nuk u ndal as një çast dhe moment së vepruari në ilegalitet të thellë. Shtëpia e tij në Gjilan ishte rrethuar me dhjetëra herë nga udbashët, policia dhe xhandarmeria serbe të armatosur gjer në dhëmbë.

Në shenjë hakmarrjeje e kishin demoluar shtëpinë duke u munduar që të mbjellin frikë te familja Malaj dhe familjet tjera si dhe në popull.

Të gjithë anëtarët e familjes kishin kaluar nëpër grila dhe dyer të burgjeve si: Ali Malaj ishte dënuar me 1 vit burg të cilin e mbanë dhe mandej arratiset në perëndim, Naim Malaj ish ambasador i Kosovës në Zvicër, ishte dënuar me 5 vite burg dhe pas mbajtjes se dënimit arratiset, Regjije Musmurati – Malaj e moshuar dënohet me dy vite burg, Shqipe Malaj dhe Mevlide Malaj nga disa muaj burg.

Në vitin 1974, burgoset së bashku Me Adem Demaçin – Mendelën e Evropës dhe disa shokë të tjerë.

Në vitin vijues më 1975 dënohet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë me 9 vite burg të rëndë. Gjatë kohës së mbajtjes së Rexhepit në burgje e kishin torturuar mizorisht. Torturat që i janë bërë Rexhep Malës njeriu as që mund t’i imagjinoj e lëre t’i përjetoj.

Rexhepi qëndroi nëpër shumë burgje si: në Gjilan, Prishtinë, Mitrovicë, Idrizovë, Shtip, Prizren, Sarajevë, Foçë, Zenicë dhe Mostar nëpër të cilat burgje kishte përjetuar torturat dhe mizoritë më rrëqethëse.

Udbashëve serbë u kishte thënë: ju jeni kriminel dhe gjakpirës; kurse atyre shqipfolës jeni tradhtarë në shërbim të armikut.

Pas marrjes së dënimit të “merituar” të këtij grupi “armiqësor”, televizioni i Prishtinës, Rilindja dhe televizione tjera Jugosllave nuk ngarendnin duke shkruar dhe komentuar se në Prishtinë morën dënimin e “merituar” armiqtë e përbetuar të vëllazërim bashkimit dhe rendit kushtetues të Jugosllavisë.

Elita politike e asaj kohe çdo kund nëpër shkolla, organizata punuese, fabrika, fakultete, në qytete dhe fshatra vjellin vrer duke u dhënë epitetin si grup armiqësor, irredentist, separatist dhe kundërrevolucionar. E gjithë udhëheqja e Jugosllavisë sidomos ajo e Serbisë dhe Kosovës ishin në një linjë në dënimin e këtij grupi të patriotëve dhe atdhetarëve shqiptarë të kualifikuar si grup “armiqësor”.

Vëllai i Rexhepit Hasan Malaj e vizitonte në burg Rexhepin derisa nuk ishte arratisur në perëndim dhe kur kthehej nga vizita teshat dhe rrobat e Rexhepit i sillte në shtëpinë time për t’i larë ngase të tërat ishin në gjak vetëm e vetëm të mos i shihte nëna e tij.

Burgu i Mostarit ishte vendi i fundit i qëndrimit të Rexhepit në burg. Rexhepi lirohet nga burgu në Qershor të vitit 1983. Kishin shkuar për ta pritur daljen e tij nga burgu Ramadan Malaj – kushëri i babait të Rexhepit dhe Ali Malaj nip i Rexhepit ngase vëllai i tij Hasani tani veç ishte në arrati jashtë vendit. Me të arritur në Prishtinë, nuk vije së pari në shtëpinë e tij në Gjilan.

Njëherë shkon në familjet e Skënder Kastratit dhe Agim Sylejmanit të cilët kishin mbet akoma në burg dhe në Gjilan të familja e Ilmi Ramadanit dhe së fundi vije në familjen e vet.

Në kohën kur doli nga burgu situata politike dhe e sigurisë në Kosovë ishte shumë e rëndë dhe eksplozive.

Pas demonstratave të ndodhura të vitit 1981 filluan burgosjet dhe dënimet me të madhe të intelektualëve, studentëve, nxënësve dhe të rinjve shqiptarë ku merrnin dënime marramendëse dhe drakonike. Të gjitha këto dënime Rexhepi i përjetoi shumë rëndë.

Atë kohë kur Rexhepi doli nga burgu në burg ndodheshin: Hydajet Hyseni, Basri Musmurati, Xhevat Ajvazi, Nazmi Hoxha, Bejtullah Tahiri, Shemsedin Hoxha, Shaip Ismajli, Sadri Sherifi, Naim Salihu e shumë intelektual dhe të rinj shqiptarë të tjerë.

Rexhepi u prek shumë dhe lëshoi një ofshamë se atëherë kemi biseduar (ende pa rënë në burg) se kuadrat jemi dakorduar që të ruhen dhe mos të mirën me shpërndarjen e trakteve dhe afisheve se kemi njerëz të tjerë për t’i shpërndarë.

Rexhepi posa doli nga burgu menjëherë fillon veprimtarinë atdhetare duke thënë se nuk ka rrugë tjetër deri në fitorën përfundimtare të popullit tonë.

Në një rast në shtëpinë e Rexhepit (isha prezent edhe unë), xha Mehmeti babai i Rexhepit i thotë djalit të tij që të pushoj pak sepse situata ishte e zjarrtë dhe më tepër se shpërthyese. Rexhepi aty për aty i përgjigjet: Babë as edhe një minutë nuk do të ketë pushim deri në realizimin e lirisë. Në burg nuk bie më se do të luftoj deri në momentin e fundit të jetës. Babai i Rexhepit Mehmet Malaj si çdoherë burrë i mençur, i matur dhe gjakftohtë ishte i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejt duke i thënë Rexhepit: Zoti ta dhashtë hairin biri im dhe u largua. Të tillë janë burrat e mëdhenj!

Gjashtë muaj të qëndrimit të tij pas burgut deri në vrasjen e tij, filloi më të madhe aktivitetin e tij patriotik dhe atdhetar në shkuarjen dhe shpërndarjen e trakteve dhe afisheve, shkuarjen e parullave nëpër rrugë dhe objekte të ndryshme (Kosova Republikë) nëpër qytete dhe fshatra në rrugë të ndryshme të Kosovës, në trevat shqiptare të Maqedonisë si dhe nëpër komunat Preshevë dhe Bujanoc.

Ishte korrik i vitit 1983 dhe sapo kishte filluar të bie muzgu i mbrëmjes. Isha duke qëndruar në shtëpi. Ndër kohë vije Mumini nip i Rexhepit dhe i imi dhe më thotë se të ka ftuar axha Rexhep. Shkoj menjëherë. Kishte qenë duke me pritë në hajatin e dyerve me një valixhe (sigurisht trakte dhe afishe) që ishte përgatitë t’i shpërndante diku larg (pa e pyetur fare) dhe me drejtohet: mere këtë valixhe dhe e len në vendin që me caktoi skaj trotuari dhe unë të përcjell nja 50 apo 100 metra mbrapa.

Emrin Fitore – vajzës së tij e kishte përgatitë në burg për ta pagëzuar sepse simbolizonte fitoren ndaj armikut.

Kur doli prej burgut për herë të parë dhe të fundit herë, shkuam së bashku të iu dëgjojmë notat Fitores që tani ishte në klasën e parë dhe unë Mentorit- djalit të vëllait Basriut që ishte në burg në Sarajevë, të cilët i kishim regjistruar në një paralele.

Në këtë kohë të shkurtër shtëpia e Rexhepit u rrethua disa herë në orët e hershme të mëngjesit ende pa zbardhë drita nga udbashët, policia dhe ushtria serbo-sllave se mos vallë mund ta zënë dhe ta burgosin përsëri.

Mirëpo, Rexhepi tani ishte në ilegalitet dhe se ishte betuar se më nuk bie në duar të policisë që të më burgosnin përsëri pa luftuar.

Në mes natës 11 dhe 12 Janar të vitit 1984 (gjashtë muaj pas daljes nga burgu) Rexhepi dhe Nuhiu, në banesën e tyre në Prishtinë, në lagjen e quajtur në Vranjevc u rrethuan nga forca të shumta policore dhe ushtarake duke apeluar që të dorëzohen.

Thirrjes së udbashëve, gjakpirësve – xhelatëve, Rexhepi dhe Nuhiu iu kishin përgjigj me tytën e armëve duke luftuar deri në mëngjes dhe duke kënduar Kosova Republikë.

Kjo luftë e pabarabartë e dy trimave – Rexhepit dhe Nuhiut, me një ushtri dhe polici armike – fashiste do të mbetet përgjithmonë si heroizëm i pashuar në histori dhe ndër shekuj.

Luftuan deri në pikën e fundit të gjakut të tyre dy shokë, dy martirë, dy vëllezër, dy luftëtarë, dy guximtarë, dy titanikë, dy flijues, dy kolosë, dy viganë, dy gjigantë, dy veprimtarë, dy patriotë, dy atdhetarë, dy heronj, dy fitimtarë, dy djem të rinj, dy trima liridashës që i treguan njerëzimit mbarë se për liri të popullit të vet njeriu duhet të flijohet pra të martirizohet.

UDB-ja dhe këlyshet e tyre kishin rënë në panik të thellë, duke u shikuar në mes veti dhe duke thënë se si është e mundur të i kthejnë armën një ushtrie dhe policie të armatosur gjer në dhëmbë dy djem të rinj! Këtë e kishin rrëfyer edhe okularët e rastit duke i dëgjuar udbashët shqipfolës të asaj kohe të cilët rrinin të trazuar dhe të pakontrolluar nëpër skaje dhe qoshe rrugësh atë natë duke bezdisur shushuritur dhe biseduar mes veti.

Në Kosovë, nga rënia heroike e trimave lindi lavdia, e për UDB-ën që sorollatej poshtë e lart gjithnjë si e humbur, e trembur dhe e pakontrolluar, ligësia, tradhtia e çudia!

E gjithë UDB-ja bën çudi!
Vallë! Janë ç’mend këta dy djem t’ri!
Këta djem t’ri dhe axhami!
Të luftojnë me ushtri!
T’shkrepin armët n’polici!
Është më shumë se çmenduri!

Vullneti dhe dëshira për te qenë të lirë kishte marrë dhenë, ishte më e madhe se një ushtri dhe polici armike dhe kët vullnet të popullit nuk mund ta thyej më askush.

Atë natë edhe qielli nuk ishte si zakonisht, i zymtë, i mërrolur, nuk dëgjohej asfare zhurme, shushurime apo cicërimë zogjsh, vetëm të lehura qensh dhe krisma armësh.

Me rënien heroike të trimave dhe derdhja e gjakut te tyre në fushën e betejës, u bë kthesa e madhe historike e shqiptarëve, se armikun shekullor nuk duhet lëmuar më por duhet kthyer armën.

Nga ky vend filloi të iu vije aroma pranverore e lulëkuqeve të Kosovës se liria gjeti rrugën, veprimin dhe kahen e duhur dhe nuk do të ketë forcë që të ndalë këtë vullnet dhe ndjenjë që buron thellë nga shpirti i popullit të robëruar (nga thellësia e shpirtit të Rexhepit dhe Nuhiut) për të fituar lirinë dhe të drejtat e tij të ligjshme.

Vendi ku ranë heroikisht trimat Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha që u shkrua me gjakun e tyre të njomë, fillimi i fillimit të fitimit të lirisë së Kosovës në Prishtinë, mori emrin Kodra e Trimave.

Thënia e Rexhepit – thënë prindit të tij xha Mehmetit, se nuk do të bie më në burg pa luftuar – u bë realitet.

Në shtëpinë e xha Mehmetit kishte ardhur lajmi apo kumti nga udbashët shqipfolës se Rexhepi ka bërë “vetëvrasje” në Prishtinë.

Por xha Mehmeti burrë i mençur, i vendosur në qëndrime, i rezervuar dhe largpamës, me një gjakftohtësi të rrallë ndër të tjera ju drejtohet udbashëve shqipfolës që i kishin sjellë lajmin e zi dhe të hidhur për Rexhepin duke u thënë:

Rexhepi nuk bën “vetëvrasje” por ju jeni ata që e keni përcjellë gjatë dhe e keni vrarë dhe kështu kishte mbaruar biseda me udbashët.

Ishte mbrëmje. Ndodhësha në shtëpi dhe në një moment vie Shqipe Malaj mbesa e Rexhepit dhe e imja, e përlotur duke treguar se posa erdhi lajmi në shtëpi nga udbashët se axha Rexhep është vrarë në Prishtinë.

Me të shpejtë me Shqipen nisemi te shtëpia e saj. Rrugës shohim udbashë dhe policë të trazuar afër xhamisë të medresesë dhe në rrugët tjera që qonin në drejtim të shtëpisë së Rexhepit.

Arrijmë te shtëpia e Rexhepit. Xha Mehmeti si çdoherë edhe në këto momente dramatike dhe shumë të vështira, ishte i fortë moralisht, i matur dhe gjakftohte. Në vend që ta ngushëllonim, ai bënte të kundërtën. Na ngushëllonte ne për vrasjen e djalit të tij dhe na jepte kurajo dhe moral se puna e tij e nisur do të vazhdoj nga shokët edhe pas Rexhepit (dhe ashtu ndodhi).

Ishte koha e lajmeve. Xha Mehmeti edhe pse kishte marrë lajmin e zi dhe të hidhur për vrasjen e djalit të tij – Rexhepit na drejtohet neve të pranishmëve me fjalët: “Qëndroni të qetë, kryelartë, mos qani dhe mos u habisni.

Lëshoni televizionin dhe përcillni lajmet me vëmendje. Rruga e nisur do të vazhdoj nga të tjerët. Liria vetëm me gjak fitohet, liri pa derdhë gjak nuk ka”. Këto ishin fjalët e xha Mehmetit në ato momente prekëse dhe shumë të rënda.
Televizioni i Beogradit jep lajmin e parë se në Prishtinë ishin vrarë dy “terroristë”, dy “irredentistë”, dy “separatist”, dy “kundërrevolucionarë” Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha.

Pas dëgjimit të lajmeve filloi biseda se kush duhet të shkoj në morgun e Prishtinës për të sjellë kufomën – trupin pajetë të Rexhepit në shtëpi.

Të nesërmen posa zbardhi drita nisën për në morgun e Prishtttinës Hanifja (bashkëshortja) e Rexhepit, Agimi – djali i motrës së Rexhepit dhe Ramadan Dërmaku nip i familjes Malaj.

Gjatë nxjerrjes së trupit të pajetë të Rexhepit nga morgu, rrugës për në Gjilan ishin përballë me shumë sfida dhe pengesa, por më në fund arrijnë me arkivol në shtëpi. Arkivolin e hapur me trupin e pajetë të Rexhepit e vendosëm në dhomën e pritjes.

Haqif Krasniqi – Dajkoci një burrë i urtë, punëtor dhe i pafjalë, i cili gjithherë i ndeji afër familjes Malaj në ditët më të vështira, u afrua te trupi i pajetë i Rexhepit duke e puthur në fytyrë dhe me zë të lartë dhe lotë në sy shprehet: Të qoftë për hair Republika Rexhë (Rexhep).
Pastaj filluan përgatitjet për varrim.

Policia dhe udbadhët erdhën përsëri te shtëpia e xha Mehmetit se varrimi duhet të bëhej në ora 15.00.

Varret u hapën njëri pran tjetrit (pra i Rexhepit dhe Nuhiut). Më vonë policia dhe UDB-ja japin urdhër që njëri varr të mbulohet dhe të hapet në anën tjetër (pra njëri në lindje e tjetri në perëndim) vetëm e vetëm që mos të jenë afër njëri tjetrit (si duket u kishin frikën edhe për se vdekuri).

Përgatitem edhe kurorë lulesh – gjënë më të vogël për trimin, por udbashët dhe policia nuk lejuan.

Arkivolin me trupin e pajetë të Rexhepit e mbështollëm me një çarçaf të bardhë si bora dhe kështu e kemi nisur për në banesën e fundit.

Rrugës për në varreza na janë bashkëngjitë edhe disa qytetarë tjerë edhe pse ishim nën masa të rrepta përcjellëse nga policia dhe udbashët të cilët ishin vendosë në çdo skaj dhe udhëkryq të rrugëve.

Gjithashtu edhe gjatë ceremonisë së varrimit një grup udbashësh dhe policësh rrinin anash në grupe duke i përcjellë njerëzit të cilët merrnin pjesë në varrim.

Me të përfunduar ceremonia e varrimit, rrugës për në shtëpi disa pjesëmrrësve ju kishin dalë në pritë policia dhe udbashët duke i ofenduar dhe torturuar.

Njëri ndër të torturuarit dhe të ofenduarit ishte Jahi Kuregjaj nga fshati Kuregjaj i Gjilanit të cilit edhe i kishin shkaktuar plagë të rënda për pjesëmarrje në varrim.

Ngushëllimet mbaheshin në dhomën e pritjes të shtëpisë së xha Mehmetit.
Çdo kund ishin vendosur udbashët dhe policët civil për t’i përcjellë dhe deshifruar njerëzit se kush po shkonte në ngushllime.

Siç e kemi traditë karrika ishte vendosë në sokak. Vie policia dhe e fusin karrikën brenda. Kur e shef Naimi (nip i Rexhepit) se karrika nuk është në sokak pa bërë zë e mer karrikën dhe e vendosë përsëri në sokak.

Babai i Rexhepit xha Mehmeti si çdoherë edhe kësaj radhe qëndroi stoik dhe i papërkulur duke iu dhënë vullnet dhe forcë të pranishmëve se rruga e filluar nuk guxon të ndalet deri në fitoren përfundimtare.

Xha Mehmeti ende sa ishte në jetë la porosinë – amanetin që kur të vdes të më varrosni afër varrit të Nuhi Berishës dhe kështu ndodhi.

Nuk u varros te varri i djalit të tij, por te varri i shokut – idealit të djalit të vet. Vetëm burrat e mëdhenj veprojnë kështu. Më tepër se krenari! Pra ranë dy për tu ngritur dymijë!

Sot në qendër të Gjilanit shtatorët e Rexhepit dhe Nuhiut qëndrojnë të gdhendura në bronx si roje nderi.

Sot mundin, djersën, sakrificën, veprën sublime, madhështore,patriotike dhe atdhetare të tyre po e shijojmë dhe përjetojmë të lirë dhe krenar.

PS: Gjeneral Shaban Shala – luftëtar i UÇK-ës nga Drenica tani i ndjerë, një kohë ishte komandant i TMK-ës në Gjilan i cili ndër të tjera pati deklaruar se automatikun e parë e kam marrë qysh at kohë nga trimi Rexhep Malaj.