Rexhep Shala, kosovari që u desht ta bëjë dy herë Mjekësinë, tani udhëheq klinikë në Gjermani
Mjeku shqiptar në Gjermani Rexhep Shala u nderua sot me mirënjohje nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në vlerësim të lobimit për çështjen e Kosovës dhe mbështetjen e studentëve shqiptarë në përgjithësi dhe veçanërisht mbështetjen e studentëve kosovarë në Evropë.
Mediafokus.info ju sjellë portretin e mjekut Rexhep Shala. Kush në të vërtetë është ai dhe nëpër çfarë çfarë rrugëtimi kaloi për të arritur atje ku është?
Rexhep Shala nga Poneshi i Gjilanit ishte detyruar ta braktis fakultetin e mjekësisë në Prishtinë, në vitin 1993, pas nëntë semestrave të kryer dhe të mësyjë jashtë vendit, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike të familjes. Atje, për një kohë bëri punën e shoferit dhe më vonë, pasi e rimori pak veten, iu rikthye prej fillimit ëndrrës së tij të shkollimit.
Tani Rexhep Shala (1967) është mjek shumë i njohur në një spital të madh në Gjermani (rrethina e Shtutgardit) ku jeton me familje prej më shumë se 25 vitesh. Në spitalin ku punon, që është ndër më të mëdhenjtë në rrethinat e Shtutgardit, tetë katesh, me disa reparte, atij i është besuar pozita e kryemjekut në departamentin e Urologjisë.
Rruga jetësore dhe profesionale e Shalës, që e ka dërguar deri këtu, është e mbushur me sfida e suksese. Ndihet i lumtur që tani e ka përmbushur ëndrrën e rinisë. Dëshira e tij është që të kthehet në Kosovë dhe të ndihmojë shëndetësinë e këtushme, e cila ka ngecur parapa mjekësisë botërore në trajtimin e avancuar të sëmundjeve urologjike. Në këtë drejtim, është duke menduar seriozisht “mjeku i burrave”, siç njihen ndryshe urologët.
Specializimi i tij është trajtimi i tumoreve të prostatës dhe gurët në veshka. Mjekësia bashkëkohore u jep shumë përparësi mjeteve endoskopike, që nënkupton operim pa prerje. Laseri përdoret për gdhendjen e tumorit të prostatës dhe thyerjen e gurëve në veshka.
“Për të pasur një jetë cilësore, shumë e rëndësishme është mënyra e ushqimit, llojet e ushqimit, barnat dhe terapitë tjera që janë të nevojshme pas operimit. Kontakti me mjekun është i domosdoshëm”, thotë Shala.
Ai preferon përdorimin e ujit te rastet e problemeve me gurë në veshka. Mjaftojnë tri litra ujë në ditë dhe veshka shpërlahet.
Sa u përket tumoreve të prostatës, që janë mjaft të shpeshta në Gjermani, trajtimi i tyre është kryesisht operativ. Ai i gëzohet faktit se në Gjermani dhe vende tjera ka mjekë shqiptarë që kanë arritur suksese në profesionin e tyre.
Kur shkova në Gjermani, nuk ishte momenti të kryeja fakultet
Mjekësinë nuk e kishte traditë familjare, por fëmijët e tij, njëri ose të dytë, mund ta ndjekin rrugën e babait. Ata i kanë edhe mundësitë, edhe kushtet tjera, të cilat Rexhepi nuk pati në kohën e tij. “Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në familje, u detyrova ta lë fakultetin e mjekësisë pas nëntë semestrave dhe të shkojë në Gjermani. Si fëmija më i madh që isha, më binte barra të mendoja edhe për familjen”, thotë dr Rexhep Shala, derisa rikujton vitet kur ishte student në Prishtinë.
Nuk ia filloi menjëherë fakultetit në Gjermani, sepse asokohe ishin rreth 4 mijë mjekë pa punë në këtë shtet. “E dija se mund ta kryeja fakultetin dhe të rrija pa punë”, thotë Shala. Për një kohë punoi si pastrues e mirëmbajtës i një objekti dhe pastaj, për rreth gjashtë vjet, si shofer i një gjermani që ishte konvertuar në mysliman, e që ishte ndër arkitektët më të mëdhenj të xhamive në botë, shumë i pasur.
Madje ai ka projektuar edhe kupolat lëvizëse të xhamive në Mekë. “Unë nuk e kam ditur që kisha afër vetes një person aq të pasur”, thotë Shala.
Ai një ditë e pyet Rexhepin se çka kishte punuar në Kosovë dhe kur ky i tregon se e kishte lënë fakultetin dhe kishte ardhur të punonte si mirëmbajtës dhe pasi ishte bindur që kishte të bënte me një person me vlera të larta njerëzore, i kishte thënë se do ta ndihmonte financiarisht të kryente auto-shkollën dhe e kishte bërë shofer të tij personal. Pastaj Rexhepi vendosi t`i riktheht shkollimit. I hyri mjekësisë prej zeros. Thotë se studimet në Prishtinë i kishin shërbyer shumë, edhe pse shkollimi nuk iu njoh.
Prej mërgimtari deri te mjeku
Se nuk është shkëputur krejtësisht nga vendlindja tregon fakti se Rexhepi vjen çdo verë në Kosovë. Tani ka filluar të bëjë edhe plane tjera, që në Kosovë të mos kthehet vetëm për pushime.
”Po planifikoj ngapak për ardhur kohë pas kohe në Kosovë. Fillimisht mund të bashkëpunoj me një koleg timin, i cili është duke hapur një klinikë në Prizren. Më vonë të shohim, ndoshta mund të hap një klinikë timen”, thotë mjeku shqiptar.
Ai është në gjendje të sjellë në Kosovë herë pas here edhe mjekë të tjerë të huaj, që kanë emër në Gjermani. Edhe për kolegët e tij në spitalet dhe klinikat e Kosovës, ka fjalë të mira, për aq sa i njeh disa prej tyre, por thotë se mjekësia kosovare ka nevojë për përvoja të reja. Këtu ende praktikohen ndërhyrjet e hapura, ndërkaq mjekësia e avancuar botërore nuk i favorizohen më këto lloj operimesh.
Tërheq vërejtjen për më shumë kujdes nga stresi, që është bërë një “vrasës i fshehur”, si pasojë e presionit dhe dinamikës së jetës.
Përndryshe, dr Rexhep Shala ka bërë edhe një studim mbi psikotraumat e fëmijëve të luftës në Kosovë.
Në Gjermani, titullin doktor nuk mund ta fitosh pa punim shkencor, thotë ai.
Rexhep Shala është njëri nga shqiptarët e shumtë që në ato vite të vështira në Kosovë, u detyruan të marrin botën në sy për të siguruar ekzistencën e familjes, por është i vetmi ndoshta prej tyre që arriti të realizojë ëndrrën e tij dhe të bëhet një emër i njohur dhe i respektuar në mjekësinë gjermane./Mediafokus.info