Rikujtim: Adem Muji ishte një zë i fuqishëm skenik i cili jehon edhe pas vdekjes

Aktori i madh kosovar, Adem Muji, i cili e përmbylli një vit më parë rrugëtimin e tij jetësor, si mërgimtar në Zvicër, do të mbahet mend gjatë për shkëlqimin e madh që i sha skenës sa herë që u ngjit në të.

Gjatë viteve të 80’ta ai kishte luajtur një mori shfaqjesh në teatrin e Gjilanit.

Në publik njihej më shumë për rolin e tij në serialin “Qyteti pa lum”.

Adem Muji ishte një artist i madh, me një zë të fuqishëm skenik dhe mbi të gjitha ai ishte një njeri i veçantë.

Muji ishte, siç do të shprehej mikja e tij, aktivistja shqiptare në Zvicër, Mirishahe Limani-Hiler, nga ata artistë që lënë gjurmë që të mos i humbim rrugët.

Adem Muji ishte i lindur më 25 prill 1958 në fshatin Bresalc të komunës së Gjilanit dhe kishte mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës.

Në rrethanat e vështira, të fillim viteve `90, sikur shumë moshatarë të tij, edhe Ademi u detyrua të braktiste Kosovën dhe të zhvendoset në Zvicër.

Atje, për të mbajtur familjen, atij iu desh të punonte jashtë profesionit të tij, në ndërtimtari, hoteleri etj., ndërsa aktiviteti i tij i fundit profesional ishte si asistent social në Hospic General.

Në këtë vend pune, siç e thotë zonja Limani-Hiler “ai shtegtari migrues, tani ishte i angazhuar në pritjet e emigrantëve më të rinj që vinin nga atdheu i tij, apo edhe nga vise të tjera të Ballkanit”.

Edhe në këto rrethana, Adem Muji nuk qëndroi duarkryq: ai përgjatë disa viteve u angazhua në shoqatën kulturore të shqiptarëve të Gjenevës “Igballe Prishtina”, ku ka realizuar, veç tjerash edhe disa shfaqje teatrore.

Pak vite pas luftës, ai u kthye për një kohë në Kosovë, ku u angazhua në një serial të njohur të atyre viteve me titullin “Qyteti pa lumë”, me regjisor, Ilir Kabashin.

Adem Muji ishte një zë i fuqishëm skenik, që jehon edhe pas vdekjes./Mediafokus