Rikujtim: “Afërdita e Anës së Malit”, mësuesja e parë në gjuhën shqipe në këtë trevë

Rukije Lika Shabaj ishte mësuesja e parë në Anë të Malit, e cila u rrit në një familje të varfër, me 6 fëmijë (3 djem e 3 vajza).

Ajo ngadhënjeu mbi paragjykimet e kohës për shkollimin e vajzave.

Shkollën tetëvjeçare e mbaroi në vitin shkollor 1958/1959, kurse të mesmen në Prishtinë, ku pas dy vitesh u diplomua  në Shkollën e Lartë Pedagogjike – drejtimi klasor.

Me diplomën e mësueses, u kthye në vendlindje në vitin shkollor 1963/64.

Në shtator të atij viti filloi punën  me nxënës në Katërkollë, po në atë shkollë  prej nga ishte nisur për në shkollë e veshur me rroba fshatareje.

Rrëfimet për historinë interesante të fillimit të rrugëtimit të saj të arsimimit  ishin mjaft emocionuese dhe të pazakonta, sepse ishte femra e parë nga kjo zonë e cila me insistimin këmbëngulës të drejtorit të shkollës, Jonuz Divanit mori vendimin “të niset pa ditur se për ku, se ku do të banojë, ku do të flejë”, e ngarkuar nga zërat paragjykues të bashkëfshatarëve të vet se “kujt i duhet më kjo vajzë e cila po lë familjen dhe po shkon vetëm në shkollë”.

Kjo arsimdashëse nuk ua vuri veshin thashethemeve të fshatit, por vazhdoi  me seriozitet e përkushtim misionin e filluar.

Me punën e palodhur dhe me sjelljen e saj shembullore arriti t’i përballojë të  gjitha sfidat me të cilat u ballafaqua  gjatë shkollimit në Prishtinë.

Kur u kthye me diplomën e mësueses  ndjehej krenare për faktin se theu  akullin shekullor dhe hapi një shteg të mbyllur deri atëherë për femrat anamalase.

Rrugën e saj të shkollimit për fat të mirë e ndoqën shumë breza vajzash të kësaj zone.

Familjarët e mësueses Rukije dhe të tjerët ndiheshin krenarë se kanë një  vajzë dhe një bijë të tillë e cila po edukon dhe arsimon brezat e rinj anamalas në frymën e shëndoshë.

Porosia e Rukije Lika Shabajt e cila punoi si mësuese 35 vjet, ishte: “Bëni më shumë për arsimin në përgjithësi, në veçanti për ata mësimdhënës të cilët ishin të parët që dritën e dijes në gjuhën shqipe e kishin shpërndarë nëpër të gjitha familjet shqiptare”.

Ajo edhe pse fizikisht nuk ndodhet mes nesh, meriton një mirënjohje të madhe nga nxënësit, mësimdhënësit, prindërit,  institucionet e arsimit dhe shqiptarët, në përgjithësi./ulqini-online/