Rikujtim: Hamzi Isufi, avokati që bashkë me intelektualët e Gjilanit punoi në artikulimin e kërkesës për pavarësi të Kosovës

Para dy vitesh, në ditën e sotme, u nda nga jeta avokati nga Gjilani, Hamzi Isufi, njëri ndër juristët e parë të Anamoravës.

Si profesionist dha kontribut të çmueshëm në Kombinatin Bujqësor të Gjilanit ku punoi e punësoi punëtorë të shumtë sipas çelësit kombëtar.

Ishte i kyçur në organizimin ilegal të kohës, i lidhur me patriotin Kadri Zeka.

Pas pranverës së ’81-it u diferencua dhe u shkarkua nga puna.

Filloi të punojë si avokat i pavarur me ç’rast shpëtoi shumë të pafajshëm nga persekutimi.

Në Anamoravë ishte njëri ndër ata që kontribuoi në shkëputjen e shqiptarëve nga Serbia.

Bashkë me intelektualët e Gjilanit punoi në artikulimin politik të kërkesave për pavarësinë e Kosovës.

Duke qenë i ndjekur, i vëzhguar dhe i marrë në pyetje nëpër stacione policore, u detyrua të mërgojë në Evropë ku e vazhdoi mbështetjen e njerëzve në nevojë.

Si i pari i familjes dha shembull në edukimin dhe shkollimin e të rinjve, disa prej të cilëve më vonë diplomuan nëpër universitetet e Evropës.

Hamzai ishte i dashur, i çiltër e i ngrohtë, i afërt me njerëzit. Në biseda ishte i drejtëpërdrejtë dhe gjithmonë i qeshur, me një humor të lehtë e të këndshëm. /Mediafokus