Rikujtim: Hysen Latifi, një emër që identifikohet me rritjen e arsimit shqip

Para gjashtë vitesh u nda nga jeta në moshën 81-vjeçe, profesori i historisë, pedagogu Hysen Latifi, i lindur në vitin 1938, në fshatin Hogosht, komuna e Kamenicës, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen – Normalen në Prishtinë. Studimet i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filozofik, drejtimi i Historisë.

Po në Prishtinë ka kryer edhe nivelin e magjistraturës, në temën “Gjilani me rrethinë në mes të dy luftërave botërore”.

Në vitin 1961 filloi punë si mësimdhënës në vendlindje, ndërsa në vitin 1965 kaloi në fshatin Hade, komuna e Prishtinës, në të njëjtën detyrë të mësimdhënies. Dy vite më vonë (1967) punësohet në shkollën Normale të Gjilanit.

Pas katër vjetësh përvojë, emërohet drejtor në këtë shkollë, pozitë kjo të cilën e mbajti  për pesë vjet.

Detyrën e drejtorit e kreu për një mandat edhe në gjimnazin “Zenel Hajdini”.

Nga viti 1980 e deri në pension, Latifi ka punuar si këshilltar pedagogjik në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan.

Hysen Latifi është bashkautor i tekstit shkollor për klasën e gjashtë “Historia”, e cila është përdorur në Kosovë dhe Shqipëri. Ai është bashkautor edhe i monografisë së fshatit Hogosht.

Në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm, nga viti 1967 deri në vitin 2008, Latifi ka bashkëpunuar me Entin për Botimin e Teksteve Shkollore, si ekspert për recensimin e teksteve mësimore për lëndën e historisë, për shkollat fillore dhe ato të mesme.

Latifi gjithnjë ka reflektuar iluminizëm dhe përpjekje për zhvillimin e arsimit shqip.

Emri dhe përpjekja e tij lidhet përjetësisht me rriten e shkollës shqipe, me sfidat që i zunë rrugën asaj, me sukseset dhe momentet që jepnin shpresë.

Ai ishte njeriu model në përkushtimin e tij për gjetjen e zgjidhjeve në situatat e duhura, në shikimin perspektiv të zhvillimeve edukativo-arsimore. /Mediafokus.info