Rikujtim: Nazmi Musa mbetet ikona e arsimit në Gjilan

Nazmi Musa, ish-drejtor i Arsimit në Gjilan, veprimtar politik e atdhetar i spikatur, u nda nga jeta para një viti.

Për më shumë se 4 dekada, ai shërbeu si mësimdhënës në Gjilan, duke dhënë kontribut të pamatshëm në këtë sektor e duke nxjerrë kuadro të cilët sot janë profesionistë të mëdhenj të të gjitha fushave.

Kjo e bënë atë që të mbetet ikona e arsimit në Gjilan.

Profesor Nazmi Musa ishte, po ashtu, edhe veprimtar i madh i çështjes kombëtare, ishte udhëheqësi i strukturave të mbrojtjes të Republikën e Kosovës, në cilësi të komandantit rajonal të Mbrojtjes Territoriale.

Si drejtor i arsimit, Musa ka pasur një ndikim të rëndësishëm në menaxhimin e institucioneve arsimore, në periudhën e pas pasluftës, kur ka pasur shumë sfida për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e sistemit arsimor.

Ai ka ndihmuar në forcimin e strukturave të arsimit dhe në krijimin e kushteve më të mira për mësimdhënësit dhe nxënësit, sikurse ka kontribuuar për integrimin e metodologjive të reja të mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Përveç angazhimit në fushën e arsimit, Nazmi Musa ka qenë një person me ndikim në shoqëri, si intelektual, atdhedashës e veprimtar politik për shumë vite.

Për kontributet e tij, Nazmi Musa ka gëzuar respekt të lartë nga kolegët dhe bashkëqytetarët e tij.

Ai mbetet një figurë e rëndësishme në kujtesën kolektive të Gjilanit dhe të Kosovës për angazhimin e tij në përmirësimin e arsimit dhe përkushtimin ndaj çlirimit të vendit./Mediafokus