Rikujtim: Një vit pa krijuesin Ramadan Musliu

Para një viti, më 22 tetor 2020, ndërroi jetë poeti, publicisti e studiuesi i letërsisë, ish-deputeti Ramadan Musliu (1954-2020) nga Vitia.

Sot, një vit pas, kultura jonë ndihet më e varfër pa krijuesin dhe intelektualin e madh Musliu, me një veprimtari të begatë, që nga mësimdhënësi e deri te gazetari i kulturës në “Rilindje”.

Ramadan Musliu s’rreshti së punuari, duke shkruar, vlerësuar, përzgjedhur e zbërthyer një mal problemesh të shoqërisë shqiptare dhe të fqinjëve përreth, sidomos në aspektin intelektual e krijues.

Nga viti 1978 e këndej ishte i pranishëm në qarqet letrare të Prishtinës, Shkupit e Tiranës, pa e anashkaluar asnjëherë krahinën e tij të Anamoravës, ku epiqendër të veprimtarive të veta letrare (e një kohë edhe e politike) e kishte Vitinë dhe Gjilanin, ka thënë poeti dhe publicisti Sabit Rrusetmi.

Për afro 50 vite ushtroi profesionin e shkrimtarit, falë vullnetit të mirë dhe dijes e intelektit të jashtëzakonshëm, duke u marrë me “miqtë e tij memecë” – librat, siç thoshte një shkrimtar tjetër yni, Musa Ramadani, me të cilët ishte i pandashëm deri në grahmat e fundit, sepse ky ishte i vetmi “post “ që nuk varej prej të tjerëve, po vetëm prej tij.

Në vitin 2017, Komuna e Gjilanit, përmes Ars Clubit “Beqir Musliu” e nderoi atë me Çmimin prestigjioz letrar “Beqir Musliu”, ndërkaq biblioteka në Viti ka marrë emrin e tij.