Rikujtim për Hamdi Zymberin, patriotin që s`e theu as burgu dhe as mërgimi

Para tri vitesh ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Hamdi Zymberi, i cili nga shokët e tij është vlerësuar për guximin revolucionar që kishte.

Hamdiu ishte i paepur, i pathyeshëm, i pakompromis, i vendosur dhe patriot.

Hamdi Zymberi ishte dënuar nga regjimi i kohës me 14 vjet burgim, pasi nuk u pajtua me shtypjet dhe padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve të Kosovës, shkruan Mediafokus.info.

Ai ishte torturuar në mënyrën me çnjerëzore në burgjet e Serbisë, derisa shokët e tij tregojnë se burgu ia la edhe një pasojë.

Gjatë tërë kohës sa vuajti në burg (nëntë vjet) nuk ishte pastruar kurrë me ujë të ngrohtë, si formë tjetër e dënimit të egër.

Siç rrëfejnë shokët për Mediafokus.info, trupi i tij ishte mësuar me ‘ujin e burgut’ – të ftohtin dhe kështu vazhdoi të bëjë dush të ftohtë deri sa ndërroi jetë.

Pas daljes nga burgu, Zymberi udhëhoqi grupin, të cilët po përgatiteshin për stërvitje ushtarake 1993/1994, për t’u përgatitur për luftën e cila ishte e pashmangshme.

Vdekja e papritur e Hamdi Zymberit pikëlloi shumë njerëz. Ai u vlerësua lartë për figurën e tij prej veprimtari të madh, i cili e ndoqi kauzën për lirinë e shqiptarëve.

Hamdiu, një jetë të tërë ia kushtoi kauzës për lirinë e shqiptarëve. Edhe pas daljes nga burgu, ai nuk hoqi dorë nga kjo kauzë, pasi ishte përgjegjës i një grupi për përgatitje ushtarake në vitet 90-ta kundër okupimit. /Mediafokus.info/