Rikujtim: Profesori i Bujqësisë që përcillte mesazhe lirie te nxënësit e tij

Sahit Baftiu, ish-profesor në shkollën e Bujqësisë në Gjilan, ra dëshmor në vitin 1999, në betejën e Zhegocit, së bashku me të birin Kastriorin, 14-vjeç dhe vëllain, Shahinin, shkruan Mediafokus.info

Ata u vranë nga forcat serbe, në pjesën jugore të fshatit, tek vendi i quajtur “Lugu i Demës”.

Më 15 prill 1999, forca të shumta të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë kishin ndërmarrë një ofensivë të madhe në drejtim të fshatit Zhegoc, ku ishte selia e Zonës Operative të Karadakut dhe ku po strehohej edhe një numër i konsiderueshëm i popullsisë civile.

Sahiti asnjëherë nuk ishte pajtuar me regjimin komunist të asaj kohe, të cilin e kishte kundërshtuar sa herë që kishte pasur rast.

Vazhdimisht e ngrinte zërin ndaj padrejtësive që i bëheshin popullit shqiptar.

Baftiu ishte ndër të rrallët profesorë të asaj kohe që nuk i gjykoi demonstratat e studentëve të vitit 1981.

Ishte ndër të paktët që me guxim i mbrojti simbolet kombëtare.

Me padurim e priti themelimin e UÇK-së në Zhegoc, të cilës iu bashkua me kënaqësi, për të dhënë kontributin e tij në çlirimin e vendit.

Bashkëvendësi dhe kolegu i tij, Nazif Sylejmani mban mend se si Sahiti, me një guxim të pashoq kundërshtonte politikën kriminale të Beogradit ndaj shqiptarëve, sa herë që i jepej mundësia.

“Guximin e Sahitit nuk e kishte gjithkush. Vazhdimisht ngrinte zërin dhe kundërshtonte padrejtësitë e pushtetit.

Për këtë arsye, regjimi i kohës e kishte halë në sy profesorin Baftiu, të cilin e përcillte këmba-këmbës.

Sahiti ishte një profesor i shkëlqyer në punën e tij me nxënës, të cilëve nuk u përcillte vetëm mësimet nga agronomia, por edhe mesazhin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, thotë Sylejmani.

Nga viti i kaluar, shkolla e Agrobiznesit në Gjilan mbanë emrin e tij. /Mediafokus.info