Rikujtim: Ramadan Xhema ishte njeri i veprave të mëdha kombëtare

Para një viti, pikërisht më 9 dhjetor, iku nga kjo botë njeriu i veprave të mëdha në migracion, dr Ramadan Xhema (1936-2020), një veprimtar i madh i kauzës kombëtare shqiptare nga Tupalla.

Dr. Ramadani u lind në vitin 1936, në familjen e njohur të Muhaxhirëve të parë, Xhema, nga Vranoci i Lebanës, e të vendosur në Tupallë.

Shkollën fillore e kreu në Medvegjë, në gjuhën serbe. Pas kësaj, në Prishtinë regjistrohet në gjimnaz, e pas një kohe transferohet në shkollën e Mësuesisë në Gjakovë, për t‘u transfefuar përsëri e diplomuar në gjimnaz.

Punon një kohë si mësues në Prishtinë, por jo shumë dhe regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Rijekë të Kroacisë.

Në vitin e dytë të studimeve arrestohet nga UDB-ja e Serbisë gjoja për veprimtari në krijimin e Shqipërisë së Madhe.

Duke e transportuar për në burgun e Leskocit, siç ishte shumë i shkahtë, me duar të lidhura, i shqelmon policët përcjellës dhe kërcen nga vagoni i trenit.
Kështu për një periudhë kohore jeton në arrati, por përsëri e arrestojnë. Mbase, në Gjykatën e Leskocit lirohet, në mungesë të fakteve.

Në të vërtetë ai i pengonte regjimit të asaj kohe sepse kërkonte të drejtat kombëtare për shqiptarët e Medvegjës.

Pas lirimit nga burgu ai gjithmjë ishte nën përcjelljen dhe vëzhgimin e organeve të sigurisë.

Pavarsisht nga kjo, ai i mbaron studimet themelore dhe.merr diplomën e mjekut, por për te nuk pati vend të punonte si mjek në Medvegjë edhe pse ai kishte dëshirë të madhe, e vendi kishte nevojë për mjek shqiptar.

Një kohë punoi si mjek në Proshtinë, ku dha një kontribut të jashtzakonshëm.

Njihet qëndrimi i tij si mjek i cili së pari i pranonte për kontrollë pacientët nga fshatrat, duke thënë se … ata kanë bërë dhe duhet të bëjnë rrugë të rëndë për t‘u kthyer në shtëpi…

Dr. Ramadani nuk u nda nga veprimtaria për kauzën kombëtare shqiptare që nga rinia e hershme e deri në fund të jetës së tij.

Në fund të vitit 1980, duke i parë zhvillimet e asaj kohe, e duke e ditur se është në shënjestër të përhershme të UDB-së, ai migron në SHBA, prej nga, kontributin më të madh për çështjen kombëtare e dha së bashku me vëllain e tij z. Xhemë Xhemën.

Atje, ai me punën e tij të palodhur, e sidomos pas takimit e njohjes me Josef Dioguardin, bëri punë të madhe në sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe futjen e kêsaj çështje në organet më të larta të SHBA.

Unë isha prezent në takimin e verës së vitit 2001, të mbajtur në hotelin Grand të Prishtinës, kur Z. Jozef Dioguardi tha, po parafrazoj:…asnjë shqiptarë nuk ka bërë më shumë për Kosovën se ç‘kanë bërë vëllezërit Ramadan dhe Xhemë Xhema.

„Unë e falëmderoj Zotin që më takoi me Dr. Ramadan Xhemën, e Ramadanit i jam borxhëlinj që më tregoi se jam shqiptar“, tha z. Dioguardi at ditë në Prishtinë.

Dr. Ramadan Xhema, iku nga kjo botë me mallin e madh për vendlindjen, sepse edhe kur vinte atje nuk ishte i lirë, ishte nën vëzhgim permanent, por asnjëherë jo i frikuar as i dorëzuar, por i fortë, vizionar dhe trim i paepur.

Një pjesë të veprimtarisë dhe jetës së tij Doktor Ramadani e la trashigimi në veprën „Nuk mposhtet shqiptari“ të botuar vite më parë në Prishtinë.

Mbase, tërë jetën, pasurinë e punën e tij, Dr.Ramadan Xhema ia fali kombit dhe atdheut. Ai meriton të përkujtohet e rikujtohet çdo vit, sikur po bënë tani Mediafokus.info/Prof. Rexhep Abazi