Rikujtim: Shaip Dubova, fotografi që i pa në celuloid të gjitha krimet serbe
Shaip Dubova, fotografi e kameramani shqiptar nga Gjilani ndërroi jetë para katër vitesh, në moshën 62-vjeçare.
Dubova ishte ndër fotografistët e parë të brezit të tij në Gjilan, profesion ky të cilin e kreu edhe në ditët dhe vitet më të vështira nëpër të cilat kaloi Kosova.
Fotografinë e kishte filluar si pasion qysh si fëmijë dhe më vonë e kishte kthyer në profesion.
Shaip Dubova ka punuar kameraman në Televizionin e Prishtinës (RTP) deri në kohën e dëbimit të shqiptarëve nga ky medium publik.
……….
Ky është rrëfimi i Shaip Dubovës, i dhënë para shumë vitesh, që ribotohet sot, në nderim të kontributit të tij për ndriçimin e krimeve të luftës:
“Kam parë foto duke ekzekutuar shqiptarë me kokë në cung, kam parë një person me sëpatë në dorë, duke u përpjekur të mbrohet nga paramilitarët, kam parë viktima pa duar, pa këmbë, ka gjenitale”.
Të gjitha këto foto ai i kishte ruajtur me shumë rrezik dhe pas luftës i ka dorëzuar në OSBE, por nuk di se çka ka ndodhur me to.
Dubova thotë se forcat serbe e kishin detyruar me dhunë që të punojë për ta, nga data 9 maj 1999 deri në ditën e hyrjes së forcave të NATO-s.
Ai ka zhvilluar mbi 2 mijë foto, gjithnjë nën vërejtjen nga policët që i rrinin me armë sipër kokës “po gabon diçka”.
Thotë se ka parë foto të krimeve edhe në Zhegër, në Zhegovc, Vërbicë dhe vende tjera.
Më së rëndi është ndjerë kur i ka parë të vrarë e të masakruar personat që i ka njohur.
“Kam parë foto ku paramilitari shihet duke e vrarë viktimën”, thotë ai.
Në rrezik për të lënë kokën, ai ka arritur që të ruaj ekzemplarë të fotove.
Mban mend se fotot e para që i ka zhvilluar, kanë qenë nga masakra e Krushës dhe vrasjet në Zhegër.
Me sa ka mundur të kuptojë nga policët serbë, të gjitha këto foto, në 7 kopje, dërgoheshin në Beograd./Mediafokus/

