Rikujtim: Xhavit Latifaj ishte veprimtar i kohëve të vështira
Xhavit Latifaj ndërroi jetë në janar të vitit 2019, disa ditë para se t`i mbushte 66 vjet.
Ish-drejtori i ndërmarrjes publike “Higjiena” në Gjilan, në vitin 2008 ishte përballë me akuzën për shpërdorim të detyrës, ku doli i pafajshëm, por i rrënuar shpirtërisht, shkruan mediafokus.info
Gjykata e Qarkut e kishte shpall të pafajshëm Latifajn, bashkë me drejtorin financiar Selver Morina, në vitin 2012.
Aktgjykimi lirues ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Latifaj ishte shprehur i lumtur që drejtësia në rastin e tij kishte triumfuar, duke thënë se ishin akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare, nën ndikimin e protestave të punëtorëve dhe interesave të tjera grupore.
Ekspertiza nuk kishte konstatuar shpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Latifajt dhe Morinës.
Latifaj iku nga kjo botë, i shfajësuar nga akuzat, por i rrënuar në pikëpamje shpirtërore dhe shëndetësore për atë që kishte përjetuar padrejtësisht ai dhe familja e tij, për gati pesë vite.
Latifaj është vlerësuar nga shokët dhe kolegët, si mik i mirë dhe veprimtar i palodhshëm për çështjen kombëtare.
“I sinqertë, i vërtetë dhe fort i kthjelltë në vlerësimin e situatave. Veprimtar i ditëve të vështira që u shua ngadalë, si qiriu. Veproi e punoi atëherë kur shumëkujt nuk ia mbante. Ishe një shok i mirë, i drejtë, i sinqertë, trim, atdhetar…”, janë disa nga komentet e shokëve dhe miqve të tij, të cilët njëherësh shprehin keqardhje për atë që përjetoi Latifaj./Mediafokus/

