Rilindja, historia e ndaluar e Kosovës
Ilmi Musliu
Sot, më 12 shkurt 2020, gazeta Rilindja shënon 75 vjetorin e daljes, por jo edhe të vazhdimit të daljes së saj.
Para 18 vitesh, në Kosovën e lirë, punëtorët e Rilindjes u dëbuan prej shtëpisë së tyre nga administrata e UNMIK dhe kjo detyrimisht imponoi mbylljen e gazetës tradicionale Rilindja.
Rilindja e nisi rrugëtimin e saj para 75 viteve, në 12 shkurt të vitit 1945, në Prizren dhe deri më 21 shkurt 2002, përballoi shumë sfida e goditje, por nuk u dorëzua para asnjë furtune.
Kryeredaktori i fundit, Behlul Jashari rikujton se numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana.
Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej rreth 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën.
Rilindja, nga fundi i vitit 1958 u bë gazetë e përditshme.
Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua me ndërhyrje ushtarako-policore në shtypshkronjë, nga regjimi okupues serb, më 7 gusht 1990, edhe kur u dëbua dhunshëm nga shtëpia e saj.
Nga 18 janari 1991 doli me emrin “Bujku” gazetë e rezistencës, e luftës për liri, pavarësi e demokraci.
Sidoqoftë, Rilindja, edhe e ndaluar, mbetet një vlerë shumë e madhe për Kosovën, e krijuar për shtatë dekada.
Rilindja është historia e Kosovës, është kronika më autentike e popullit të saj./Mediafokus/

