Rinovohet xhamia e vjetër në Velekincë të Gjilanit
Në Velekincë të Gjilanit, ka filluar rinovimi i xhamisë së vjetër, e cila tash e disa vjet është jashtë përdorimit. Objekti po rinovohet nga Instituti për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, me kërkesë të Këshillit të fshatit Velekincë dhe Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit.
Në të vërtetë, fillesat e para të ekzistencës së objektit fetar datojnë nga viti 1834-1836, kur këtu ishte ndërtuar një mesxhide.
Pas njëqind vjetësh, saktësisht më 1936, objekti i mesxhides u rindërtua në afërsi të objektit të parë të xhamisë, i cili ekziston edhe sot dhe tani po rinovohet.
Sipas Islam Osmanit, autor i librit ‘Historiku dhe peizazhi magjespës i xhamive të Gjilanit’, imami i parë në këtë xhami ka qenë Mulla Nuhi Sinani nga Velekinca.
Në vitin 2003, në fshat u ndërtua xhamia e re, me të cilën ndërlidhet një histori interesante, që ka ndodhur në vitin 2016.
Një banor serb nga fshati i afërt, Pasjan, ka hyrë në xhami, është ngjitur në minare dhe ka filluar shkatërrimin e saj, duke tentuar që në vend të shqiponjës dykrenare të vendos kryqin./Mediafokus.info