Riza Krasniqi, mësuesi pa shkop
SABEDIN SHERIFI
Shkolla në malësinë e Zhegocit ishte dhe mbeti jo vetëm një objekt mësimor edukativ, por edhe më shumë. Njerëzit shkollën e konsiderojnë një objekt kulti ku të vegjlit marrin dije drejt horizonteve të reja.
Sigurisht një vlerësim i tillë i ka rrënjët diku më thellë në të kaluarën jo aq të largët, kur paria e malësisë, në mungesë të një lexuesi të një letre, duhej të ecte më orë për gjetur dikë që dinte të lexonte një letër kurbeti, apo një letër ushtari.
Historia e edukimit të të rinjve, nuk është aq e vjetër. Gjatë pushtimit osman nuk kishte shkolla shqipe. Në atë kohë funksiononin mejtepet ku kryesisht mësohej edukimi islam.
Gjatë pushtimit serb, po ashtu nuk lejohej hapja e shkollave shqipe. Të rrallë ishin ata që ndoqën mësimet në serbisht.
Shumica e popullsisë ishte analfabet. Pas Luftës së Dytë Botërore, ku popullsia e Kosovës e pagoi shtrenjtë lirinë e saj, me mijëra të vrarë e të zhdukur.
Një liri, edhe pse e cunguar, ishte rezultatet i angazhimit të patriotëve të kohës, që bënë çmos për edukim dhe arsimim të brezit të ri.
Infrastruktura e shkollave ishte e tmerrshme. Shtëpitë e braktisura ishin adaptuar si shkolla. Pushteti pak interesohej për ndërtimin e tyre, edhe pse numri i nxënësve ishte shumë i madh.
Prindi im kishte shkuar në shkollë në Zhegoc, ku ishte një shtëpi e Baki Deliut, i cili kishte migruar në Sllatinë, afër aeroportit.
Kjo shtëpi ishte adaptuar si shkollë, kishte dy dhoma mësimi dhe një zyre për mësimdhënësit.
Në fillim të viteve të 80-ta u ndërtua një shkollë e re në Zhegoc. Kjo shkollë u ndërtua në mes të lagjeve Zhegoc i Epërm, Zhegoc i Poshtëm, lagjja e Alibabëve, lagjja Musliu, lagjja Salihu, lagjja Rudarët.
Në këtë shkollë gravitonin shumë fëmijë. Shkolla e re ishte një gëzim i madh për banorët e këtyre anëve, edhe pse ajo ishte vetëm katërklasëshe.
Nga e pesta e tutje, fëmijët duhet të ecnin shumë kilometra, dikush në Bresalc e dikush në Vërbicë të Zhegocit.
Numrin i atyre që vazhdonin ishte i përgjysmuar, sidomos i gjinisë femërore.
Shkolla ishte e re dhe kishte inventar të ri, por mungonte uji i pijshëm. Ishte një krua ku vraponim se kush do arrijë i pari për të pirë ujë.
Shpesh ai turbullohej sepse ishte shumë i cekët.
Në vitet e `80-ta, kur filluam shkollën si nxënës të klasës së parë, klasa ishte me plot nxënës. Mësuesit ndërroheshin shpesh, filluam me mësuesin Sadik Sulejmani, pastaj vazhduam me Halim Zeqiri.
Nuk zgjati shumë erdhi një mësues i ri. Ai ishte Riza Krasniqi. Ishte mësues që punonte me plot vullnet.
Është çudi se ky ishte mësues pa shkop, që mësuesit tjerë e kishin shpesh mjet ndëshkimi për dembelët apo problematikët.
Klasa sikur u zgjua nga gjumi, ne si fëmijë kënaqeshim nga gjërat që mësonim. Mësuesi Riza këndonte bashkë me ne, mësuesi Riza luante me ne….
Klasa kishte shumë fëmijë. Shumica ishim të shkëlqyeshëm. Mësuesi kënaqej me të arriturat tona.
Nuk e besoni, por vërtet i qeshte fytyra kur lexonim bukur apo recitonim poezitë. Shumë herë mësuesi ynë Riza sillte veshmbathje për fëmijët që nuk kishin.
Ishin kohë të vështira, sidomos dimrit kur nuk kishte as këpucë llastiku.
Verës shpesh disa ecnin zbathur, ose i ndërronin rrugës më vëllezërit apo motrat këpucët e tyre.
Mësuesi te ne solli edhe civilizim, kulturë, edukim dhe gjithçka tjetër.
Me sa qejf e pritnim kur vinte e sa na prishej disponimi kur mungonte. Ai ishte shumë i dashur dhe kishte respekt të madh tek banorët e malësisë.
Sot kur flitet për mësuesit që edukuan brezat e rinj, gjithmonë ai përmendet ndër të parët për humanizmin dhe punën e pa lodhur që ka bërë për edukimin e të rinjve.
Shumë nga ish nxënësit e tij kanë studiuar fusha të ndryshme të shkencës dhe japin kontribut në ndërtimin e vendit.
Shpesh kur takonim mësuesin Riza, pyetja e parë ishte se si qëndrojmë me mësime dhe sa gëzohej kur i tregonim për të arriturat tona.
Mësuesi Riza qëndroi edhe në kohën kur u rrezikua shkolla shqipe nga pushtuesi. Ai punonte pa pagë, sepse nuk mund t`i linte nxënësit e tij.
Sigurisht më afër shtëpisë, por e kaluara e tij dhe përshtypjet e banorëve për mësuesin Riza, do mbeten gjatë në kujtesën tonë./Mediafokus/

