Rizah Dushica ishte sinonim i urtësisë, i dijes dhe dashurisë për shkollën dhe atdheun

Rizah Dushica (1940-2001) ishte sinonim i një urtësie dhe një mësuesi shembullor, i cili sakrifikoi aq shumë në trasimin e rrugës së dijes dhe bartjes së amanetit të të patriotëve pararendës, për liri e bashkim të tokave shqiptare, shkruan Mediafokus.info

Rizah Dushica ishte biri i një patrioti, i cili përjetoi masakrën e Tivarit, masakrën e Deçanit dhe dy luftërat heroike të Velegllavës.

Ishte nipi i Asllan Dushicës, për të cilin populli thuri legjenda e këngë popullore, ku spikatet trimëria dhe sakrifica e tij deri në vrasjen që iu bë pritë nga tradhtarë të paguar nga Serbia.

Sipas të dhënave të Hysen Këqikut, rrëzë majës së Velegllavës u lind Rizah Fetah Dushica, para 81 vitesh.

Si i ri përjetoi tmerret e luftërave, ndjekjeve, vrasjeve, djegieve dhe urisë nga aksioni i grumbullimit të tepricave të drithit, që kishte për qëllim varfërimin e familjeve shqiptare dhe rrezikimin e ekzistencës së tyre.

Ishte absurde të jetosh në një fshat malor, mbi 1000 metra lartësi e të kishe teprica ushqimore.

Kur u hap shkolla në Velegllavë (1949), Rizahu ishte 8 vjeç dhe është nxënësi i gjeneratës së parë.

Shkolla nisi në një shtëpi private, ku në vend të bankave, ishin vendosur cunga druri.

Pas 4-vjeçares, një fëmijë i veshur me tlina kërpi e me opinga, ia mësyu fshatit Desivojcë, për ta kryer klasën e pestë dhe të gjashtë.

Klasat shtatë e tetë i kreu në Hogosht  duke bërë 5 orë rrugë, në të dy drejtimet.

Në vitin shkollor 1960-1961 regjistrohet në shkollën Normalen e Gjilanit. Prindi i tij, një arsimdashës i madh, i zuri një banesë.

Sa për Rizahun, ai ishte në gjendje të bënte këmbë edhe rrugën deri në Gjilan, sepse kishte aq shumë etje e dëshirë për shkollim.

Thirrja për të shkuar ushtar ia ndërpreu shkollimin. Kërkesa për shtyrje të obligimit ushtarak, derisa ta mbaronte shkollën, nuk iu mor parasysh.

Pasi kthehet nga ushtria, në vitin 1966 fillon punën si mësues në fshatin Poliçkë dhe njëkohësisht vazhdon vitin e pestë të Normales, ku diplomoi më 1968.

Më 1977 regjistrohet në Akademinë Pedagogjike në Gjilan, ku diplomon më 1979 si arsimtar i mësimit klasor, vijon shkrimi i Mediafokus.info

Deri në fund të vitit 1982 punoi në Poliçkë, Desovojcë dhe Velegllavë.

Për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe pamundësisë që edhe më tutje të jetonin në Velegllavë, familja u shpërngul Gjilan, në Lagjen ‘Zabeli i Sahit Agës’.

Derisa u gjet një mësues tjetër, Rizahu vazhdoi punën në Velegllavë.

Nga viti 1982 kaloi në shkollën “Musa Zajmi” në Gjilan, në Pasjak e Livoç i Epërm, kurse nga viti 1991 e deri në pensionim, punoi në shkollën fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan.

Rezultatet e tij të punës në arsim, ishin të shkëlqyeshme.

Mesuesi Rizah Dushica përveç punës edukative-arsimore u mor edhe me veprimtari të tjera në dobi të qytetareve.

Bashkë me Tahir Zukën dhe Hysen Këqikun dhe me ndihmën e komunitetit morën aksionin për elektrifikimin e lagjes, që deri atëherë nuk kishte rrymë.

Kur të gjithë, në një formë apo tjetër, përpiqeshin t`i zgjeronin oborret për t’i ngushtuar rrugët, Rizahu fali pjesën më të shtrenjtë të tokës së tij në Lagjen e Zabelit, për të vendosur trafo stacionin, i cili i shërben edhe sot lagjes.

Po ashtu, bashkërisht ndërtuan rrugën deri në Zabel të Sahit Agës.

Aksioni i tretë, që po ashtu u krye me sukses, ishte ndërtimi i shkollës fillore në lagjen e atëhershme ‘Qenar Qeshme’ (Arbëria), e cila punoi deri në ndërtimin e shkollës së re ‘Abaz Ajeti’.

Rizah Dushica ishte njeri i sakrificave, i pajtimeve, njeri që nuk iu nënshtrua ligjeve diskriminuese komuniste.

Orientimi i tij që të punojë me gjeneratat e reja, ishte për lakmi. Fahu i tij ishte aty ku atdheut i krijoheshin kuadro e njerëz të edukuar e të arsimuar.

Ishte njeri i moralshëm dhe burrë i fjalës.

Kudo ku punoi, Rizahu krijoi miq e shokë. Ishte shembull se si duhet të jetë një punëtor arsimi.

Rizah Dushica ka lënë në dorëshkrim vjersha, tregime, kujtime dhe një pjesë shumë me rëndësi të historisë së fshatit Velegllavë, përfshirë toponomastikën, onomastiken, fjalë e shprehje popullore, këngë e lojëra fëmijësh, pleqni popullore, anekdota, kashelashe, besëtytni dhe material tjetër arkaik.

Rizah Dushica mbetet një emër i paharrueshëm kudo ku punoi e jetoi, në Velegllavë, Desivojcë, Hogosht, Poliçkë, Gjilan, Pasjak, Livoç i Epërm.

Një njeri shembullor si ai, që bëri shumë për vendin ku jetoi, meriton që në forma të ndryshme të kujtohet e nderohet dhe ndoshta nderimi më i mirë do të ishte që një shkollë të pagëzohet me emrin e tij. /Mediafokus.info

Foto nga arkivi i Xhemail Ibrahimit. Riza Dushica (majtas), Xheladin Ibrahimi (mes) dhe Qemajl Dushica (djathtas)