Roja e pyjeve dënohet me burg dhe gjobë për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues me burgim dhe gjobë ndaj të akuzuarve S. F. dhe K. L.

I akuzuari S. F. në cilësinë e personit zyrtar – roje pylli pranë autoritetit pyjor në Kamenicë, nuk ka ndërmarr veprime të nevojshme për sigurimin e pyjeve, përkatësisht masës drusore të prerë në ngastrën me nr. 52, me vëllim 230.20 metra kub, me çka i ka shkaktuar autoritetit pyjor dëm material rreth 16.712.89 euro.

Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, vepër kjo e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa i akuzuari K. L. duke qenë i autorizuar nga kompania “Mirvete Leci – BI” në Kamenicë, për implementimin dhe mbikëqyrjen e punimeve në ngastrën nr. 52 në fshatin Krilevë, ku kompania në fjalë ka qenë në implementim të kontratës, për punimet në këtë ngastër, pas njoftimit nga kompania se i ndërpret punimet e mëtejshme në këtë ngastër, nuk ka vepruar sipas udhëzimit administrativ nr. 06/2020 për mënyrën dhe procedurat e shitjes së trungjeve pyjore dhe asortimeve drusore nga pyjet publike.

Kështu, pas ndërprerjes së punimeve nga subjekti në fjalë, personave të panjohur deri më tani i është mundësuar marrja e masës drusore në ngastrën e përmendur me vëllim 230.20 metra kub, me çka i ka shkaktuar autoritetit pyjor dëm material rreth 16.712.89 euro.

Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale ‘veprimtaria e pandërgjegjshme ekonomike’, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe shtjellimit të provave, ndaj të akuzuarit S. F., ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) muajve dhe gjobë në shumën prej 500 (pesëqind) euro, ndërsa ndaj të akuzuarit K. L. dënim me gjobë në shumën prej 3500 (tremijë e pesëqind) euro, thuhet në njoftim.