Roli i Qendrës për Edukim të Vazhdueshëm Infermierik në Kosovë dhe mbështetja e Finlandës

Themelimi i Qendrës për Edukim të Vazhdueshëm Infermierik (QEVI) në Kosovë më 2005, me mbështetjen e qeverisë së Finlandës, shënoi një pikë kthese në zhvillimin e infermierisë dhe përmirësimin e standardeve të kujdesit shëndetësor në vend.

Kjo qendër u krijua me qëllim të ofrimit të trajnimeve të avancuara, të bazuara në praktika ndërkombëtare, për të gjithë infermierët në vend dhe për të ngritur nivelin e edukimit profesional në mënyrë të qëndrueshme.

QEVI, së bashku me të gjitha qendrat mësimore të vendosura në spitalet rajonale dhe Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ka kontribuar në trajnimin e mijëra infermierëve, duke i përgatitur ata me aftësi të avancuara klinike, menaxheriale dhe hulumtuese.

Programet e mësimdhënies janë zhvilluar sipas standardeve bashkëkohore dhe kanë përfshirë tema të ndryshme, duke përgatitur infermierët për sfidat e praktikës moderne dhe për një kujdes më të sigurt dhe më efikas ndaj pacientëve.

Një aspekt kyç i këtij programi ishte trajnimi i mësimdhënësve të infermierisë, të cilët studiuan rreth katër vjet në programin finlandez të mësimdhënies, menaxhimit dhe hulumtimit shkencor.

Kjo periudhë intensive i mundësoi tyre të përvetësonin metodologji të avancuara pedagogjike, teknika të efektshme të menaxhimit të programeve edukative dhe aftësi të zhvillimit të hulumtimeve shkencore, të cilat u zbatuan më pas në procesin e edukimit në Kosovë.

Nëpërmjet këtij projekti, QEVI ka arritur të standardizojë praktikat infermierike, duke promovuar përdorimin e protokolleve të bazuara në evidencë dhe harmonizimin e praktikave lokale me ato ndërkombëtare.

Ky proces ka ndihmuar në ngritjen e nivelit të sigurisë së pacientëve dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në të gjithë vendin.

Përveç përfitimeve profesionale, themelimi i QEVI ka krijuar një kulturë të edukimit të vazhdueshëm mes infermierëve, duke i inkurajuar ata që të qëndrojnë të përditësuar me zhvillimet e reja klinike dhe teknologjike.

Ky qasje proaktive ndaj mësimit gjatë gjithë karrierës ka ndihmuar në përmirësimin e trajtimit të pacientëve, parandalimin e komplikacioneve dhe menaxhimin më të mirë të sëmundjeve kronike, duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin publik.

Gjithçka e arritur fal mbështetjes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, që ka siguruar ekspertizë, trajnime dhe resurse të domosdoshme për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të infermierisë në Kosovë.

Ky bashkëpunim ndërkombëtar tregon se investimet strategjike në edukimin profesional të infermierëve mund të kenë ndikim të madh në zhvillimin e sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve.

Përfundim:

Themelimi i QEVI dhe aktivitetet e saj kanë luajtur një rol vendimtar në ngritjen e kapaciteteve profesionale të infermierëve, përmirësimin e standardeve të praktikës infermierike dhe forcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Ky projekt është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërkombëtar në shëndetësi, ku njohuritë dhe eksperienca nga Finlanda janë shndërruar në përfitime të prekshme për komunitetin dhe pacientët në Kosovë.

Autori i shkrimit është ish student i këtij programi. /Sabedin Sherifi