Gazeta Sinjali mëson se rreth orës 03:30, në lokalin “Adriatika (Muzik Live)”, pas një mosmarrëveshjeje çasti, i dyshuari N.A., rreth 42-vjeçar ka sulmuar fizikisht dy persona, S.B., rreth 47-vjeçar dhe H.H., rreth 51-vjeçar, duke i goditur në kokë me një shufër metalike.

Si pasojë e goditjeve, të dy viktimat kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe fillimisht janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit.

Për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, ata janë transferuar për trajtim të specializuar në QKUK – Prishtinë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes, është intervistuar nga hetuesit e NJHP-së, dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Hetimet janë në zhvillim për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.