Rrëfimi i dytë i axhës Lilë
Ramadan Hasani

Pas një pushimi të shkurtër, sa për t`u mbushur frymë, axha Lilë vazhdoi rrëfimin e dytë.
Ishte pranverë e hershme, fundi i marsit ose fillimi i prillit 1945. Na erdhi lajmi (urdhri) që nesër në ora 12, gjithë rinia e fshatit tonë dhe fshatrave përreth të tubohemi në shkollën e Zhegrës.
Qëllimi i takimit do të ishte: Zgjedhjet dhe emërimet në Lidhjen e Rinisë, në kuadër të Bashkësisë lokale Zhegër.
Të nesërmen me shokë u paraqita në vendin dhe kohën e caktuar. Ishim kryesisht të rrethit të Zhegrës, Haxhaj, Selishtë, Goden, Remnik, Nasalë, Lladovë e Llashticë.
Për çudi, aty përveç të rinjve civilë, hasëm edhe shumë ushtarë dhe oficerë të armatosur.
Radhët e rinisë vazhdimisht shtoheshin. Dikush nga të pranishmit shfaqi dyshimin si është e mundur që nuk ka asnjë serb.
Si duket na hetuan që po dyshojmë. Oficeri kryesor urdhëroi një ushtar: ‘Prebroji koliko ima’ (numëroji sa janë).
Pas numërimit të dytë, konfirmoi numrin 324! ‘Dovolno ima, zatvaraj obruc. (Paska mjaft, mbylle rrethimin).
Dikush nga të pranishmit tha “vallahi na u kajt nana”. Pasoi reagimi: ‘Vezhite’ (lidhini).
Na lidhen krah për krahu, jo dorë për dore, nga 4 me një rresht. Pas çdo katërshi civil të lidhur qëndronte një ushtar me automatik. Ikja nuk mund të imagjinohej.
U nisëm përpjetë Grykës së Karadakut. Kur arritëm në Pidiq, filloi të errësohet. Na futen në xhami. Gjatë natës nuk na lanë të dalim as për nevoja personale.
Herët në mëngjes vazhduam për Dunav, nëpër rekë të zezë, rreth shtrazës e drejt e në Terrnavë.
Një lëndinë shumë e madhe, askund nuk kishte drurë. Na rreshtuan për dy. Para nesh vendosen 4-5 mitraloza.
Kur pritej komanda ‘pali’ (zjarr), nga drejtimi i Preshevës, një njeri me kali të bardhë, fluturonte për hava.
Me një dore mbante frerin e kalit, kurse me dorën tjetër të ngritur lart, bërtiste me krejt fuqinë e zërit që kishte ‘Prekini, prekini…’ (Ndaloni, ndaloni).
Për një minutë ishte para mitralozave. Kërceu nga kali, shau me nënë e gjithçka ‘sram vas bilo (turp ju qoftë).
Asnjë oficer nuk fliste. Shpëtuam! Allahu atij ia bëftë lule xheneti.
Për derisa të jem gjallë, Avdullah Preshevën, kalin e tij të bardhë, baloshin e zi në ballë, shkumën që i dilte nga goja dhe avullin që i dilte nga trupi, kurrë nuk i harroj.
Na quan në Preshevë në burg, rrafsh 6 muaj na mbajtën. Nuk na maltretuan ma. Nga papastërtia u mbushëm morra.
Kur jemi kthye n’shpi, teshat i kemi djeg n’oborr, e drejt e n’hamamxhik.

