Rrëfimi i njërit prej pasagjerëve të autobusit: Pashë njerëz të vdekur nëpër livadh, pashë gjithçka

Një nga udhëtarët e autobusit që doli nga autostrada afër qytetit Slavonski Brod në Kroaci, këtë mëngjes dhe u përmbys duke i lënë të vdekur 10 persona e mbi 40 të lënudar, e ka përshkruar momentin tragjik para kamerës së Radio Televizionit Kroat (HRT).

Ramo Gashi tregoi se si i dukeshin momentet e para pas aksidentit të tmerrshëm.

“Diçka shpërtheu për një sekondë, pashë gjithë ata njerëz nëpër gjithë livadhin atje poshtë, në atë kanal pranë autostradës”, tha Gashi.

Ai përshkroi pamjen e tmerrshme që pa.

“Unë i pashë të lënduarit, të vdekurit, pashë gjithçka, njerëz pa krah, pashë gjithçka, gjithçka”, tha ai për HTV.

Policia kroate ka lëshuar ​​një deklaratë duke detajuar rrethanat e aksidentit tragjik me autobus në autostradën afër qytetit Slavonski Brod.

Policia kroate tha se në orën 6:19 të mëngjesit të sotëm pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.

Ndërkohë, 14 persona që i mbijetuan pa lëndime aksidentit të tmerrshëm të mëngjesit të sotëm në autostradën në hyrje të Slavonski Brod të Kroacisë, aktualisht janë strehuar dhe përkujdesur në objektin Pansion Antonio në këtë qytet që ofron shërbime hotelierike, raporton Index.hr.