Rreth 30 milionë euro për procese zgjedhore në një vend me rreth 1.6 milion banorë

Majlinda Sulejmani

Prej disa javësh jam marrë më seriozisht me shifrat e proceseve zgjedhore në Kosovë. Jo për të kritikuar demokracinë – sepse zgjedhjet janë themeli i saj – por për të kuptuar sa kushton kur politika nuk arrin stabilitet institucional.

Kosova sot ka rreth 1.6 milion banorë që jetojnë brenda vendit, ndërsa qindra mijëra bashkëkombës në diasporë kontribuojnë çdo vit për ekonominë dhe zhvillimin e saj.

Sipas të dhënave publike:

• Zgjedhjet parlamentare 2025 – rreth 8.7 milionë euro
• Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në fund të 2025 – rreth 11 milionë euro
• Zgjedhjet komunale 2025, përfshirë raundet e dyta në disa komuna – rreth 10 milionë euro
Në total: afërsisht 30 milionë euro.

Për një vend me rreth 1.6 milion banorë, kjo do të thotë rreth 18–19 euro për çdo qytetar vetëm për procese zgjedhore brenda një kohe shumë të shkurtër.

Demokracia kërkon zgjedhje dhe kjo është normale. Por kur zgjedhjet përsëriten shpesh për shkak të bllokadave politike, atëherë lind një reflektim i thjeshtë.

Me 30 milionë euro mund të ndërtoheshin për shembull:

8–10 shkolla të reja
6–8 qendra shëndetësore moderne
4–7 kilometra rrugë ose autostradë, që në rajon kushtojnë mesatarisht 4–7 milionë euro për kilometër.

Dua të jem shumë e qartë për një gjë: kjo nuk është çështje e një partie të vetme. Në momentin që partitë janë në parlament, ato janë aty sepse përfaqësojnë qytetarët.

Kur bëhet fjalë për stabilitet institucional dhe përdorimin e përgjegjshëm të buxhetit të shtetit, përgjegjësia është e përbashkët për të gjithë spektrin politik.

Sepse politika nuk duhet të jetë vetëm garë mes partive, por mbi të gjitha përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe ndaj të ardhmes së vendit.

Sa shkolla, rrugë apo mundësi për të rinjtë mund të kishim ndërtuar nëse politika do të arrinte më shpejt stabilitet?