‘’Rrethi’’ vë në pranga dy të dyshuar për trafikim me narkotikë dhe armëmbajtje pa leje

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë,7 dega në Prishtinë, në vazhdën e luftimit të shitblerjes së paautorizuar të narkotikëve, sot me datën 21.05.2024 ka realizuar një plan taktik lidhur me rastin e koduar ,,Rrethi’’ ku në asistencë edhe të një njësiti të hetimeve nga st. policor Fushë Kosovë, rreth orës 14:30 në rrugën e Pejës në Fushë Kosovë ka ndaluar dhe arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar.

Personat e dyshuar E.XH. (1982) dhe A.I. (1979) janë ndaluar, por gjatë ndalimit është vërejtur se i dyshuari i dytë me qëllim të fshehjes së dëshmive ka gëlltitur një qese të vogël me lëndë narkotike të llojit kokainë, të cilën paraprakisht e kishte blerë nga i dyshuari i parë.

Me qëllim të sigurimit të provave të nevojshme, në konsultim me prokurorinë e krimeve të rënda në Prishtinë, është kryer kontrolli i banesës së të dyshuarit E.XH., ku me këtë rast në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar:

  • Substancë e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në 17 qese (16 te vogla të gatshme për shitje dhe 1 me sasi më të madhe) me peshë të përgjithshme prej 99.4  gramë
  • Një pako në të cilën kishte një lloj përzierësi që përdoret për shtimin e sasisë së kokainës me peshë prej 63 gramë
  • Një peshore digjitale që përdoret për matje precize në sasi të vogla dhe disa qese të zbrazura
  • Para të gatshme në vlerë 1750 euro
  • 3 armë automatike AK-47
  • 6 karikatorë
  • Municion të llojeve të ndryshme në sasi prej 510 copë.
  • 2 bajoneta dhe 8 pjesë të ndryshme për armë
  • Një palë dylbi dhe 2 këllëfë armësh
  • Një telefon celular

Vlera e përafërt e narkotikëve të konfiskuar, sipas çmimit të tregut, llogaritet rreth 6.000 euro.

Të dyshuarit janë shoqëruar për intervistim dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, i dyshuari E.XH. dërgohet në mbajtje për rastet nga neni 267 dhe 366 i KPRK-së, kurse i dyshuari A.I dërgohet në mbajtje për disa urdhër arreste të mëhershme të cilat i kishte aktive, thuhet në njoftim.