RrGK kërkon dënim maksimal për vrasësit e 18-vjeçares

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar me shqetësim lidhur me rastin e vrasjes së 18-vjeçares nga komuna e Ferizajt.

Nga ky rrjet kanë thënë se vrasja e kësaj vajze nuk është assesi rast i izoluar e as ndodhi rastësore, derisa kanë kërkuar dënim maksimal për fajtorët.

“Kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

Reagimi i plotë:

Dita e diel ishte e kobshme për një vajzë 18-vjeçare, e cila u la pa shenja jete në qendrën emergjente të Ferizajt.

Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si ‘’Vrasje e rëndë’’, dhe deri më tani është arrestuar një i dyshuar, kurse i dyshuari i dytë gjendet në arrati. Ky rast, na shpërfaq edhe një herë mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave dhe të femicidit.

Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave.

Si për secilën vrasje të grave nga burrat këtu kemi një zinxhir fajtorësh brenda institucioneve.

Si ka mundësi që në një institucion shëndetësor të lihet trupi i pa jetë i një gruaje, pa kurfar llogaridhënie?

Le të kujtojmë këtu se spitalet e kanë obligim që në të gjitha rastet ku ka shenja të dhunës të lajmërojnë institucionet e sigurisë, e të sigurohen që ushtruesit e dhunës të mos ikin.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon që hetimi i vrasjes së 18-vjeçares të jetë prioritet për organet e hetuesisë, si dhe fajtorët të marrin dënimin maksimal. Po ashtu, përmes kësaj kumtese njoftojmë se RrGK do ta përcjell rastin nga afër dhe do të kërkojë vënien e drejtësisë në vend.

Njëherit, u bëjmë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në gjetjen e të dyshuarit të dytë, kurse mediave u bëjmë thirrje që të raportojnë duke pasur në qendër të vëmendjes ruajtjen e dinjitetit të viktimës – vetëm në këtë mënyrë secili prej nesh do të luajmë rolin që na takon në luftimin e pakusht të vrasjes së vajzave dhe grave.

RrGK nuk do të ndalet derisa vrasjet e vajzave dhe grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private.