Rriten për 2.4% çmimet e pronave të banimit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) për tremujorin e tretë të vitit 2025 sipas të cilit çmimet janë rritur për 2.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Ndërkohë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025 çmimet e pronave të banimit kanë rënë me 2.1 për qind.
ASK-ja ka publikuar edhe dallimin në rritën e çmimeve në rajonin e Prishtinës krahasuar me rajonet e tjera.
Në rajonet e tjera rritja e çmimeve të pronave të banimit ka qenë më e lartë sesa në rajonin e Prishtinës.
“Në Rajonin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit u rritën për 1,3 % në tremujorin e tretë (TM3) 2025, krahasuar me tremujorin e tretë (TM3) 2024. Për rajonet e tjera të vendit, çmimet e pronave të banimit u rritën për 4,3 % në TM3 2025, krahasuar me TM3 2024”, thuhet në njoftim.

