Rritet numri i shtatzënave me COVID-19 në Gjinekologji

Javën e fundit është rritur dukshëm numri i grave shtatzëna të infektuara me COVID-19 që po trajtohen në Klinikën Gjinekologjike e Obstetrike në QKUK dhe asnjëra nga to nuk është vaksinuar kundër coronavirusit.

25 gra shtatzëna janë së shtrira në repartin për COVID-19 në Klinikën e Gjinekologjisë, teksa 10 nga to po trajtohen me oksigjeno-terapi, e dy janë në gjendje më të rëndë.

Drejtori i Klinikës Gjinekologjike e Obstetrike, Jakup Ismajli në një prononcim për Telegrafin ka thënë se gjendja në këtë klinikë nuk është e mirë, teksa theksoi se kanë hapur edhe repartin e dytë për të pranuar të shtatzëna me COVID-19.

“Me rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 është rritur dukshëm edhe numri i grave shtatzëna të infektuara me COVID-19, sidomos nga e enjtja e kaluar, ku çdo ditë i kemi të shtrira nga 25-26, por kjo shifër varion, pasi ato në gjendje më të lehtë, i udhëzojmë me terapi të shkojnë në shtëpi. Gradualisht numri është duke u shtuar, e kemi hapur sot repartin tjetër për të pranuar shtatzëna me COVID”, tha Ismajli për Telegrafin.

Tutje ai shtoi se, “për momentin janë të hospitalizuara 25 shtatzëna, në repartin e ndarë për COVID-19”.

“Nga këto 25 shtatzëna 10 janë në oksigjeno-terapi, ndërkaq dy të tjera janë pak më të prekura. Jemi në konsultim me pulmologun, anesteziologun, infektologun, kështu që janë në monitorim permanent nga ana e profesionistëve”, tha Ismaili.

Ai bëri të ditur që asnjëra nga shtatzënat që janë të infektuara me COVID-19, të shtrira në Klinikën që ai drejton, nuk ka marrë asnjërën nga dozat e vaksinës anti-COVID.