Rritje e ndjeshme e numrit të rasteve me COVID-19 në Shqipëri
Rritje e ndjeshme e numrit të rasteve me COVID-19 në Shqipëri.
Përballë rrezikut të shtimit të fluksit të të infektuarve me Covid-19, qeveria shqiptare po përgjigjet me masa policore dhe vënien e gjobave për mosmbajtjen e maskës me detyrim që prej të enjtes.
Shifrat janë alarmante dhe shqetësuese.
Java e shkuar u mbyll me një mesatare prej mbi 160 të infektuarish në ditë (të dalë nga testet e limituara që bëhen në instituti i shëndetit publik), dhe arriti kulmin të hënën me shifrën rekord prej 171 të prekurve të rinj.
Kjo ka bërë që numri i shtretërve në të dy spitalet Covid të zvogëlohet me shpejtësi duke bërë të prekshëm rrezikun e një kolapsi në sistemin shëndetësor. “Në të dy spitalet mund të ketë gjithsej deri në 40-50 shtretër të lirë”, tha për Lapsi.al një personel i brendshëm i qendrës universitare Nënë Tereza.
Pikërisht kjo situatë emergjente ka sjellë edhe thirrjen absurde: « të gjithë me maska ».
Por, ndryshe nga kjo kthesë e beftë e strategjisë, qeveria kishte plane të tjera. Që në prill, maj e qershor, kryeministri Rama dhe ministrja e Sshëndetësisë, Ogerta Manastirliu, premtuan hapjen edhe të dy spitaleve të tjera Covid. Njëri do të ishte brenda qendrës spitalore, tek ish kirurgjia dhe tjetri në autostradë tek ish universiteti i mbyllur Kristal.
Në kohë të ndryshme gjatë periudhës së izolimit, në media u panë kronika pompoze të qeveritarëve që inspektonin Covid 3 dhe Covid 4, ku tashmë ishin lyer muret, përfunduar fasadat, madje ishin vënë dhe tabelat sinjalizuese se ku do qenë pavionet dhe ku dhomat e mjekëve.
Për njërin nga spitalet me 100 shtreter, Manastirliu tha se do të qe gati për sezonin e verës për të pritur shtimin e rasteve nga ardhja e turistëve (poshte kronike e 2 qershorit).

