Rrufeja vret 17 dasmorë, dhëndri shpëton me lëndime

Të paktën 17 persona humbën jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur nga rrufeja, derisa ishin në një dasmë në veriperëndim të Bangladeshit.

Dasmorët ishin në një varkë në lumin Padma në qytetin Shibganj, ndërsa po shkonin në shtëpinë e nuses, bënë të ditur zyrtarët vendas. Mes të plagosurve ishte edhe dhëndri.

“Kemi marrë informacionin se 17 persona kanë vdekur, ndërsa disa të tjerë u shtruan në spital”, tha Farid Hossain, një zyrtar i policisë.

Me qindra njerëz humbin jetën çdo vit pasi goditen nga rrufeja në Bangladesh, i cili e ka shpallur këtë fenomen si një fatkeqësi natyrore prej vitit 2015 kur më shumë se 200 persona u vranë vetëm në muajin maj, mes të cilëve 82 në një ditë të vetme.

Shumica e këtyre ngjarjeve ndodhin gjatë muajit mars dhe korrik. Ekspertët kanë thënë se goditjet e rrufesë kanë lidhje me shpyllëzimin.