Rrustemi kërkon mirëkuptim: Trekëndëshi poetik i paqes nuk mund të mbahet shkaku i pandemisë

Sot është dashur të hapet manifestimi “Trekëndëshi poetik i paqes”, por organizatori ka njoftuar se shkaku i pandemisë, edicioni i dhjetë i manifestimit rajonal të poezisë, nuk mund të mbahet sivjet.

“Pikërisht më 13 qershor 2020, ishte paraparë të mbahej në Grykën e Karadakut, aty edhe ku filloi, në afërsi të trekëndëshit kufitar, manifestimi rajonal i poezisë, por, si shumë manifestime, festivale e takime kulturore që ishin paraparë për t`u mbajtur që nga marsi i këtij viti e këndej, u anuluan dhe mbetën pa u realizuar, shkaku i kësaj pandemie që ka përfshirë botën, e edhe Kosovën, edhe ne hoqëm dorë sivjet nga organizimi”, ka thënë në emër të organizatorit, Sabit Rrustemi nga Ars Clubi “Beqir Musliu”.

Por, ai i siguron krijjuesit se manifestimi do të rikthehet në ditë më të mira.

“Megjithatë, i sigurojmë poetët e vendeve të trekëndëshit kufitar Kosovë – Serbi (Kosovë Lindore) dhe Maqedoni e Veriut, por edhe shtetet tjera pjesëmarrëse, si Shqipëri e Mali i Zi, se ky manifestim afrues, pajtues, afirmues e i përkushtuar për lirinë e Kosovës si dhe paqen në këtë pjesë të Ballkanit, do të vazhdojë në kohëra më të mira dhe herdokur do të na bëjë bashkë, aty ku ishim për nëntë edicione radhazi.

Si një ngushëllim i bukur për gjithë neve, revista e këtij manifestimi, TREKËNDËSHI POETIK … po përgatitet dhe do të botohet e shpërndahet, për ta ruajtur vijimësinë dhe traditën që ka krijuar ky manifestim, ka thënë Rrustemi. /mediafokius.info