Rusia sulmon spitalin e fëmijëve në Ukrainë/ Dalin pamjet nga rrënojat
Qyteti port i Mariupolit u godit pak më herët nga një sulm ajror rus dhe kësaj here shënjestër ishte spitali i fëmijëve.
“Forcat pushtuese ruse hodhën shumë bomba në spitalin e fëmijëve. Katastrofa është kolosale”, tha Këshilli bashkiak në njoftimin e tij.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli në Twitter për sulmin e ri rus, duke cituar video nga rrënojat e spitalit.
“Mariupol. Sulm i menjëhershëm i forcave ruse në spital. Njerëzit, fëmijët, janë nën rrënoja. Mizori! Edhe sa kohë do të jenë bashkëfajtorë në injorimin e terrorit? Mbyllni hapësirën ajrore tani! Ndaloni vrasjet! E keni fuqinë por duket se po humbisni njerëzimin”, ishte komenti i presidentit ukrainas.

