“Sa herë nisem kah Hajvalia, po m’doket që po vi pej shpie, sepse fminia ime ma e amël m’ka mbetë k’nej”
Edicioni i 13-të i Manifestimit tradicional “Vjeshta letrare e Gjilanit”, që njëkohësisht për nga kohëzgjatja i ngjan një maratone letrare, në veprimtarinë e parafundit për këtë vit, mysafir të saj pati një figurë të shquar publike, Halil Matoshin, në cilësinë e shkrimtarit.
Shkas i kësaj ftese të merituar ishte libri i tij më i ri poetik, GDHENDJE DRITE, përmes të cilit u kujtue dhe u vlerësue edhe pjesa e mëparshme letrare e kësaj pene të mirë të letërsisë bashkëkohëse shqiptare.
Në sallën e Konferencave të Bibliotekës së re të Gjilanit, para një publiku kushtimisht elitar të “Vjeshtës…”, për librin më të ri dhe me një titull sa metaforik, po aq dhe interesant e intrigues, foli poetja dhe studiuesja e letërsisë, Donikë Dabishevci, duke e cilësuar poezinë e Halilit tejet cilësore, në aspektin artistik, shtjellues dhe në përpushjen e tarjtimin e temave e personazheve të gjallnisë sonë, me një ndjesi të veçantë dhe me një gjuhë që e pranon dhe e njeh lexuesi i tij.
Ecurinë e botimit të kësaj vepreje e shpalosi botuesi e dramaturgu ynë Jeton Neziraj, ndërsa rreth krijimtarisë letrare, me përqëndrim kryesisht në botimet paraprake si “Frymë varresh në dallgore”, “Lajmësi memec” ,”N’zanafillë”, “Udhëtim nëpër andërr të keqe”, “Udhëtim nëpër zhgjandër të keqe” dhe “Katedralë letre”, folën poetë e kritikë letrarë si, Sinan Sadiku, Nexhat Rexha, Selvete Abdullahu, Zyrafete Shala e Aziz Mustafa.
Poezi nga opusi i Halil Matoshit deklamoi aktorja e mëhershme e Teatrit të qytetit, Shpresa Vokshi.
Në përmbyllje fjalën e mori dhe vetë protagonisti kryesor i kësaj veprimtarie të “Vjeshtës letrare…”, duke mos i fsheh emocionet që ndodhet në Gjilan, sepse edhe siç u shpreh, “sa herë nisem kah Hajvalia, po m’doket që po vi pej shpie, sepse fminia ime ma e amël m’ka mbetë k’nej”.
Por, pos fjalëve të mira, dhurata më e çmuar ishte libri GDHENDJE DRITE të cilën autori dhe botuesi i tij, Jeton Neziraj, me të cilin i nderuan mbi 40 e sa veta profilesh të ndryshme që ishin të pranishëm.
Prania e Halil Matoshit në këtë veprimtari letrare dëshmoi se ai, pavarësisht se ka ushtruar edhe profesionin e gazetarit, publicistit, të rezistuesit për lirinë dhe pavarësinë e kësaj Republike, po edhe atë të analisitit e veprimtarit institucional, në shpirt mbetet poet dhe duhet ta pranojmë si të tillë.


