‘Sa na ka marrë malli me t`pa Babë’
Para dy vitsh, më 5 mars 2020, në Gjilan ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare gazetari Ukshin Zajmi. Uka ka punuar për disa vite gazetar në Radiotelevizionin e Prishtinës (RTP), derisa pushteti i dhunshëm serb i dëboi shqiptarët nga mediumi publik.
Duke qenë i dashuruar në profesionin e gazetarisë, pas largimit nga RTP, Ukshini ka punuar e bashkëpunuar me gazeta, revista e mediume të ndryshme lokale e qendrore.
Për shkak të angazhimeve të tij në strukturat e mbrojtjes civile, në vitin 1994 ishte arrestuar dhe dënuar me katër (4) vite burgim nga pushteti serb.
Familja, qyteti ku jetoi e punoi dhe miqtë e tij do ta kujtojmë përgjithmonë Ukën për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në fushën e gazetarisë, si shembull i një profesionisti dhe njeriu të mirë e të matur.
Sot, në këtë përvjetor, Ukshini është përkujtuar nga familjarët e tij, të cilët po e ndjejnë shumë mungesën e prindit.
‘Kaluan dy vite e shumë vështirë qenka të shkruajmë përkujtim për ty, o BABI. Eshtë e pabesuesshme që s’të kemi më në mesin tonë! Ah, sa na ka marrë malli me ardh me t’pa, me e dëgju thirrjen kur na shihje “O mirë se erdhët”.
Sa plot gjallëri dhe energji ishe, gjithmonë i buzëqeshur e sa fort i dashur për të gjithë ne. Përkushtimi i lartë dhe zemërgjerësia e jashtëzakonshme për familjen e gjërë dhe shoqërinë anembanë, ishin veti tuaja të pakrahasueshme.
Kujtimet me ty do jenë gjithmonë pjesë e jetës sonë. Do te kujtojme sa te jemi gjall Babi”, ka shkruar djali i tij, Mentori.
Përndryshe, në 21-vjetorin e çlirimit të Gjilanit, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, e ka nderuar Ukshin Zajmin, pas vdekjes, me mirënjohje për merita të veçanta./Mediafokus.info

