Sa pensionistë të rrejshëm ka Kosova?
Shfrytëzuesit e paligjshëm të pensioneve në Kosovë, duhet të ndiqen penalisht për mashtrimet që kanë bërë, duke ofruar adresa të rrejshme të vendbanimit, me çka e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit, me qëllim që vetes t`i sjellin përfitime të pa ligjshme, thotë juristi Shefki Daku nga Gjilani.
Sipas tij, dëmtimi i qëllimshëm i buxhetit të shtetit, nuk duhet të heshtet sikur të mos ketë ndodhur asgjë, raporton portali mediafokus.info
Gjithsesi, edhe zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet të mbajnë përgjegjësi, meqë nuk kanë kryer verifikimin e adresave të personave të cilët kanë aplikuar për marrjen e pensionit të pleqësisë në Kosovë, pa qenë banorë të përhershëm të këtij shteti.
Më herët, ministri Abrashi kishte thënë publikisht se nga korrigjimi i listave, janë kursyer 10 milionë euro. E, për milionat që tashmë janë keqpërdorë, a duhet dikush të jap llogari.
Sipas ligjit, “pensioni bazik i moshës u paguhet të gjithë personave që janë shtetas të përhershëm të Republikës së Kosovës, të cilët posedojnë dokumentet e identifikimit dhe të cilët kanë mbushur moshën gjashtëdhjetë e pesë vjeçare”.
Por, në Kosovë, po rezulton se ka edhe pleq mashtrues. Janë banorë të shteteve tjera, ndërsa pensione marrin në Kosovë.
Aplikuesi për person e pleqërisë duhet të ketë dokumentet e domosdoshme, siç janë letërnjoftimi, i lëshuar nga organi përgjegjës i Republikës së Kosovës si dhe vërtetimi nga Zyra Civile se është banor i përhershëm në adresën e caktuar.
Ligji e ka paraparë edhe mundësinë e ndërprerjes së pensionit, në rastet kur vlerësohet së parashtruesi i kërkesës ka bërë mashtrim apo keqinterpretim gjatë procesit të aplikimit, ose gjatë monitorimit dhe inspektimit nga zyrtarët përgjegjës të Ministrisë, me ç`rast konstatohet se aplikuesi ka ofruar prova materiale të rrejshme.
Tashmë është vërtetuat se një numër i konsiderueshëm i aplikuesve kishin ofruar prova të rrejshme, por nuk dihet nëse ndaj tyre janë iniciuar procedura gjyqësore, apo qeveria është mjaftuar me ndërprerjen e pensioneve.
Është vështirë të arsyetohet shpenzimi i taksave të qytetarëve në mënyrë kaq të papërgjegjshme, duke iu dhënë pensione të moshës edhe personave që jetojnë në Serbi, Maqedoni e Turqi.
Qytetarët në terren din për raste të tilla, ku persona të caktuar janë duke përfituar në mënyrë të paligjshme.
Qeveria e Kosovës duhet t`i bllokojë pensionet në llogari të qytetarëve, të cilat nuk janë tërhequr prej disa muajve, për të vërtetuar nëse pensionistët janë duke jetuar në Kosovë, apo në ndonjë shtet tjetër.
Edhe pensionet e dyfishta do të duhej të ndaloheshin. Në Kosovë ka edhe këso raste, kur një qytetar mbi moshën 65-vjeçre merr pension nga një shtet i jashtëm, ku ka punuar për vite të tëra dhe njëherësh merr pension pleqërie edhe në Kosovë.
Shefki Daku shprehet i zemëruar me këtë fenomen në Kosovë, ku vijnë qytetarë nga republikat fqinje dhe aplikojnë e marrin pensione këtu, pa qenë banorë të përhershëm. Ai thotë se edhe personalisht njeh raste që kanë vepruar në këtë mënyrë.
Daku thotë se duhet të mbahen përgjegjës të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me këta persona, sepse i kanë nxitur, mësuar e ndihmuar të “jashtmit” që të marrin pensione në Kosovë, përkatësisht të plaçkitin taksat e qytetarëve të ndërgjegjshëm të këtij shteti, edhe ashtu me shumë probleme, me shkallë të ultë zhvillimi e nivel të lartë papunësie.
Madje u kanë dhënë në dispozicion edhe adresat e tyre për t`i ofruar si dëshmi vendbanimi në Kosovë, ku realisht nuk jetojnë dhe ndoshta nuk kanë jetuar prej 40 vitesh, madje ka prej tyre që nuk e flasin as gjuhët e këtij mjedisi.
Kosova duhet të jetë e aftë t`i “njohë” pleqtë e vetë dhe jo të lejojë që të tjerët të “pleqërojnë” në shtëpinë dhe kuletën e saj të varfër, thotë Daku./Mediafokus/

